Kërkohet më shumë punë rreth arsimit për të rritur në Kosovë
BKT
Lajme

Kërkohet më shumë punë rreth arsimit për të rritur në Kosovë

Arsimi për të rritur në Kosovë aktualisht ofrohet në mënyrë të kënaqshme, por për të pasur një arsim më kualitativ duhet që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë.

Kështu është thënë në konferencën me temën “E ardhmja e arsimit për të rritur në Kosovë”, e cila është organizuar nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Qëllimi i kësaj konference u tha të jetë analizimi i gjendjes aktuale të arsimit për të rritur në Kosovë dhe për të evidentuar hapat e mëtutjeshëm dhe të domosdoshëm për zhvillim.

Drejtori i zyrës së DVV International në Kosovë Ramadan Alija, tha se qëllimi i kësaj konferencë është që të nxitet një debat tek të gjitha palët për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit për të rritur.

Ai tha se do të bëjnë një hulumtim për pjesëmarrjen në edukim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kurse, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valbona Fetiu Mjeku, tha se Kosova ofron arsimin për të rritu në shkollat profesionale dhe në qendrat e aftësimit profesional.

Për gjendjen aktuale, sfidat dhe nevojat për zhvillim të mëtutjeshëm të arsimit për të rritur, ka folur Radica Berishaj nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane, e cila tha se arsimimi i të rriturve është ngritje e kapaciteteve njerëzore për një vend.

Konferenca “E ardhmja e arsimit për të rritur në Kosovë”, është organizuar nga Instituti për bashkëpunim ndërkombëtar i bashkësisë së shkollave të larta popullore gjermane (Asociacioni gjerman për arsimin e të rriturve) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.


MË SHUME NGA Lajme