Ademi: Të pafat në short, por besoj në kualifikim
BKT
Sport

Ademi: Të pafat në short, por besoj në kualifikim

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ishte i pranishëm në Nyon në hedhjen e shortit për përcaktimin e vendeve pritëse të finaleve të “play-off”-it në Ligën e Kombeve, ka thënë se beson në kualifikimin e Dardanëve në Euro 2020, pa marrë parasysh faktin se të dyja ndeshjet në rrugën drejt këtij eventi do t’i luajë si mysafire.

“Ne po thuajse e kemi ditur se cilat ekipe mund të bien në grup me ne në rast të kualifikimit. Ajo që kemi pritur në këtë short ka qenë se a do të jemi vendas në finale ne ose Maqedonia apo Gjerorgjia ose Bjellorusia. Fati deshi që të jetë në anën e tyre, kështu që të dyja ndeshjet do t’i luajmë si mysafirë. Megjithatë, nuk kemi pse t’i frikësohemi këtij fakti, edhe pse dëshira jonë ishte që ndeshja finale të zhvillohej në Prishtinë dhe të festonim në stadiumin dhe shtetin tonë”, ka thënë Ademi për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai tutje ka thënë se do të vazhdojnë ta ndjekim ëndrrën dhe ka shprehur besimin e tij në kualitetet e lojtarëve dhe në punën e shtabit teknik.

“Ekipi ynë kombëtar ka dëshmuar se ka pozitivitet dhe mentalitet fituesi, andaj sigurisht se do të punojmë dhe do të besojmë në suksesin tonë në të dyja këto ndeshje, në mënyrë që ta arrijmë kualifikimin e parë dhe historik në Euro 2020”, ka shtuar Ademi. Kosova ndeshjen gjysmëfinale do ta luajë si mysafire kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars, derisa në rast se arrin ta kalojë me sukses këtë sfidë do të udhëtojë në Gjeorgji ose Bjellorusi për ta luajtur ndeshjen finale më 31 mars.