Hoti: Shansi i shqiptarëve për zhvillim është përmes arsimit

Hoti: Shansi i shqiptarëve për zhvillim është përmes arsimit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, po qëndron për vizitë zyrtare në Itali. Ai takoi përfaqësues të shoqatave shqiptare “Shqiponja” dhe “Zëri i Atdheut” në Reggio Emilia me të cilët diskutoi për Programin Nacional për Rininë.

Koordinatori Hoti shpalosi programin dhe tregoi për rëndësinë që ka ai për nxënësit si dhe për suksesin që ka pasur Programi Nacional për Rininë në Kosovë duke shpallur gjithsej 44725 fitues në të gjitha nivelet e garës. Ai tha se ky është një program i cili do t’i sjell nxënësit e diasporës në Kosovë.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar duke u bazuar në dy parime themelore, gjithëpërfshirjen dhe vijueshmërinë. Gjithëpërfshirja u mundëson të gjithë nxënësve që të shfaqin aftësitë e tyre përmes garave në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, në Dituri si dhe në Sport. Gara zhvillohet në nivelin e shkollës, komunës dhe republikës. Ne jemi duke punuar në atë drejtim që pjesë e këtij programi të jenë edhe nxënësit shqiptar nga diaspora, dhe ata janë të përfshirë edhe në Programin Ndërshtetëror për Rininë që është aprovuar në qeveri. Më vjen shumë mirë kur shoh bashkëpunimin e shoqatave tuaja dhe punën që ju bëni për të ruajtur gjuhën dhe traditën shqiptare këtu në Itali. Ne si shqiptarë kemi vetëm një shans që të arrijmë zhvillimin dhe ajo është përmes arsimit, andaj unë pres nga ju që të jeni bashkëpunues në këtë program për suksesin e fëmijëve tanë”, tha Koordinatori Hoti, i cili u dha të dy shoqatave programin dhe udhëzuesit për secilën garë.

Ndërsa, Klodian Cami nga shoqata shqiptare “Shqiponja” tha se nëse në këtë program do të bashkohet edhe qeveria shqiptare e Shqipërisë do të ishte edhe më i suksesshëm.

“Fillimisht ju falënderoj për vizitën dhe një falënderim të veçantë për përkushtimin tuaj për nxënësit tanë këtu në Itali. Është për t’u vlerësuar lartë ajo që ju po na prezantoni tani, pasi që për ne është shumë i rëndësishëm arsimimi në gjuhën shqipe i fëmijëve tanë. Përveç suksesit të nxënësve, e mira tjetër e këtij programi është bashkëpunimi që do të mundësonte ai mes nxënësve tanë dhe atyre të Kosovës”, tha Cami.

Programi u mirëprit edhe nga shoqata “Zëri i Atdheut”. Sadri Hamitaga nga kjo shoqatë tha se kjo është një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi e cila uroj të realizohet.
“Ne si diasporë kemi nevojë për bashkëpunime me vendet tona në mënyrë që fëmijët tanë ta ruajnë traditën, të mësojnë e të shkruajnë shqip. Ne si prindër duhet të angazhohemi në këtë drejtim për të fëmijët tanë. E shoh se me këtë program fëmijët tanë mund të arrijnë shumë dhe ne prindërit duhet të punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Hamitaga.

Në fund të takimi Hoti u dhuroi Camit dhe Hamitaga nga një hartë të Kosovës të punuar me gurë nga Miniera e Trepçës.Image may contain: one or more people and people sitting

Autor: RTKlive


MË SHUME NGA Aktuale