United për fitoren e dytë radhazi, në Itali luan “zona” Champions
BKT
Sport

United për fitoren e dytë radhazi, në Itali luan “zona” Champions

Pas një të shtune emocionuese, të mbushur me takime spektakolare, edhe e diela do të jetë vërtetë argëtuese, me sfida të shumta nga ligat më të forta europiane.

Kështu kampionati italian do të startojë me sfidën e mesditës mes Bolognës dhe Parmës, dy skuadra mjaft interesante të mesit të renditjes, që dhurojnë paraqitje spektakolare, pasi luajnë hapur dhe në kërkim të fitores.

Në orën 15:00 do të jetë radha e kryeqytetaseve, ku Roma do të presë në “Olimpico” Brescian në krizë rezultatesh. Verdhekuqtë vijnë pas humbjes ndaj Parmës në transfertë, që u kushtoi daljen nga zona Champions, ndaj kanë detyrim fitoren në sfidën ndaj “Dallëndysheve”.

Po në të njëjtën orë, por në Reggio Emilia, Lazio do të kërkojë suksesin e pestë radhazi në transfertën ndaj Sassuolos. Një sfidë aspak e lehtë kjo për bardhekaltrit e Inzaghit, pasi Sassuolo ka treguar se në “Mapei Stadium” di t’ua “nxijë jetën” të gjithëve.

Në orën 18:00 vëmendja do të jetë në “Marassi” të Gjenovës, ku Sampdoria vendase do të presë Udinesen në një sfidë ku do të kërkohet me ngulm fitorja, si rruga e vetme për të dalë nga kriza e rezultateve.

Në orën 20:45, vjen sfida mes Lecces dhe skuadrës surprizë të këtij sezoni, Cagliarit, që pas 12 javëve të para, e sheh veten në vendin e katërt dhe ka hedhur kandidaturën për një vend në zonën Champions.

Kampionati anglez do të vijë me sfidën mes Sheffield United dhe Manchester United, në orën 17:30, takim ku “djajtë e kuq” të Solskjaer do të kërkojnë suksesin e dytë radhazi, për të nisur ngjitjen në renditje dhe afrimin me zonën Champions.

La Liga do të ofrojë takime interesante në mbrëmje, si ai mes Villarealit dhe Celta Vigos në orën 18:30 dhe Valladolid-Sevilla në orën 21:00, ndërsa në kampionatin francez, Marseille do të udhëtojë drejt Toulonit, për t’u përballur me Touluse. /SS/