Në Itali janë të dorëzuar, Vidal nuk largohet nga Barça në janar
Muaj më parë, Arturo Vidal kishte shumë dyshime për statusin e tij te Barcelona dhe po planifikonte të largohej nga klubi katalan me hapjen e merkatos së janarit.
Roli i tij i kufizuar në fillimin e sezonit, me Busquets, De Jong dhe Arthur, që formonin treshen titullare të mesfushës, bëri që mesfushori kilian të shikonte skenarë të tjerë.
Interi, me trajnerin e tij Antonio Conte në krye, u përpoq ta bindte mesfushorin kilian të transferohej në Serinë A. Përvoja që kishin patur tek Juventusi dhe marrëdhënia e tij e shkëlqyer me trajnerin italian ishin një garanci për të dy, ndaj Vidal po mendonte që të kthehej në Itali.
Tani Vidal i ka tejkaluar pritshmëritë, ka shënuar 4 gola në 12 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar ai shënoi 3 në 53 takime. Tashmë me më shumë autoritet dhe vlerësim te “blaugranat”, në Itali e kanë të qartë se në janar është e përjashtuar që ai të shkojë tek Interi.
Për Valverden është një lojtar i domosdoshëm këtë sezon dhe kjo i është komunikuar drejtorit sportiv të Barçës. Nëse duhet të largohet, kjo mund të ndodhë vetëm verën e ardhshme, por jo në tregun e dimrit.























