Meta në Spitalin e Traumës: Shpresojmë të mos ketë viktima të tjera
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Spitali i Traumës se “shpresojmë të mos ketë viktima të tjera për shkak të këtyre lëkundjeve”.
“E rëndësishme është të evidentohen të gjitha banesat e dëmtuara dhe nëse ka qytetarë të cilët kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme. Kërkohen raportime më të shpejta për situatën në zonat më të prekura”, tha Meta.
Ai falenderoi personelin mjekësor që është në gatishmëri të plotë. “E gjithë Shqipëria është tronditur shumë rëndë dhe shpresojmë të mos kemi viktima të tjera. Sot është e rëndësishme të jemi pranë njerëzve në nevojë”, tha Presidenti.
Pas vizitës në Spitalin e Traumës ku vizitoi të plagosurit dhe ekipin mjekësor në detyrë, Kreu i Shtetit u nis drejt Thumanës, pranë banorëve të dëmtuar më rëndë nga tërmeti.(ATSH)























