Meta: Të punohet me përkushtim për të shpëtuar çdo jetë njerëzore
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një deklarate për shtyp ka theksuar sot se qeveria duhet t’u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë pas tërmetit të orëve të para të ditës së sotme.
“Vendi ynë u godit nga një valë tërmetesh si asnjëherë më parë në errësirën e orëve të para të ditës së sotme! E rëndësishme të punohet me përkushtim e profesionalizëm për të shpëtuar çdo jetë njerëzore që ndodhet nën rrënojat e ndërtesave dhe të ndihmohen të plagosurit. E rëndësishme të evidentohen banorët që s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe që kanë nevojë për strehim”, është shprehur Presidenti Meta.
“Qeveria t’u kërkojë institucioneve ndërkombëtare ndihmë. Besoj se të gjithë qytetarët tanë do dinë ta përballojnë këtë fatkeqësi me solidaritet, kurajo dhe duke i’u gjendur pranë me çdo mënyrë vëllezërve dhe motrave tona më të dëmtuar”, ka shtuar ai.
Mëngjesin e së martës, rreth orës 03:55 minuta një tërmet prej me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter goditi Shqipërinë.























