Shtyhen ndeshjet e Kupës, solidarizim me viktimat në Shqipëri
Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur për shtyrjen e ndeshjeve të Kupës së Kosovës, të parapara për t`u zhvilluar nesër. Ky vendim ka ardhur pasi vendi do të mbajë ditë zie të mërkurën, në shenjë solidarizimi për viktimat e tërmetit tragjik në Shqipëri.
Deri tash raportohet për njëzet persona të vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditen Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton klubet dhe opinionin se ndeshjet e rrethit të dytë të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, të parapara të zhvillohen të mërkurën, janë shtyrë. Ky vendim është marrë nga Komisioni i Garave, duke pasur parasysh se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ditën e mërkurë e ka shpallur ditë të zisë, në shenjë respekti për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ndeshjet e rrethit të dytë do të zhvillohen, të enjten, më 28 nëntor”, thuhet në njoftim.























