Presidenti rumun: Me trishtim të thellë mësova për tërmetin në Shqipëri
Rumania ishte një ndër shtetet që ofroi mbështetjen për popullin shqiptar me rastin e tërmetit.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, i dërgoi paraditën e së martës një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta.
Në një deklaratë për shtyp presidenti Klaus Iohannis, shprehu solidaritetin e plotë të Rumanisë me Republikën e Shqipërisë dhe përmendi faktin se Rumania dërgoi një ekip kërkim-shpëtimi në zonat e prekura.
Në mesazhin e presidentit të Rumanisë shkruhej:
“Me trishtim të thellë mësova për tërmetin shkatërrimtar në vendin Tuaj, me pasojë të humbjes të jetëve dhe qindra persona të lënduar. Në këto çaste të një sprove të vështirë për popullin shqiptar, doja të përcillja në emrin tim personal dhe të Rumanisë, ngushëllime familjeve të viktimave dhe urime për shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, mbyllej mesazhi i presidentit Iohannis.
Me një mesazh ngushëllimi për këtë ditë të vështirë, ju drejtua homologut të tij shqiptar z. Gent Cakaj edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë z. Bogdan Aurescu.
Gjatë ditës së djeshme ministri Bogdan Aurescu i ka drejtuar një mesazh ngushëllimi ministrit në detyrë për Evropën dhe punët e jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj, me rastin e tërmeteve shkatërruese të ndodhura në Republikën e Shqipërisë mëngjesin e 26 nëntorit 2019, që shkaktuan 18 të vdekur dhe rreth 600 të plagosur, krahas dëmeve materiale të konsiderueshme.
Në mesazhin e tij, ministri i jashtëm rumun ka përcjellë ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave dhe për popullin shqiptar, si dhe u uron shërim të shpejtë qindra të plagosurve.
Ministri Aurescu thekson në mesazhin e tij reagimin e shpejtë të palës rumune, nëpërmjet dërgimit të menjëhershëm të një ekipi kërkim–shpëtimi, në kuadër të Inspektoratit të Përgjithshëm të Emergjencave, me pajisje dhe teknikë ndërhyrjeje, që është instaluar në Republikën e Shqipërisë me dy avionë, të venë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, si dhe shpreh të gjithë gatishmërinë e vendit të tij për periudhën në vijim, sipas kërkesave të palës shqiptare.
Në aeroportin e Rinasit mbërritën dy avione “Hercules” te ushtrisë rumune, me 52 specialistë për situata katastrofash natyrore, të pajisur me pajisje kërkimi nën rrënojat e ndërtesave.
Mes ekipeve të shpëtimit ishte edhe një ekip zjarrëfikësish rumunë të çertifikuar nga OKB-ja. Bashkë me këtë njësi ishin edhe disa qenë të trajnuar posaçërisht për të gjetur njerëz në rrënoja.
Ekipi rumun i kërkimit dhe shpëtimit që vepron në kuadër të departamentit për situatat e urgjencës ka arritur mbrëmë në Shqipëri me dy avionë që u vunë në dispozicion nga forcat ajrore rumune.
Në pritjen e ekipit rumun në këtë aksion mbështetës Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri SH.T. Mircea Perpelea u shpreh: “Besoj se ndihma e parë më e madhe e parë do të ishte të përdornim burimet tona që të gjejmë ata që janë të zhdukur apo që ndodhen nën rrënoja dhe sigurisht të ndihmojmë popullsinë që ka mbetur e pastrehë”.
Ekipet rumune SMURD dhe RO- USAR janë duke kontribuar në Durrës ku mes të humburve në rrënoja dhe qytetarëve të pajetë ka fëmijë, të rinj, të moshuar, gra dhe burra.
Tërmeti me amplitudë 6.4 ka ndodhur 30 km në veriperëndim të Tiranës me një thellësi prej 20 km. Si pasojë e tij dhjetra blloqe pallatesh dhe shtëpi u shkatërruan dhe shumë materiale që janë ende të pallogaritura.
Ndërkohë deri në këto çaste që flasim raportohen për 31 jetë të humbura dhe mbi 20 të tjerë janë ende të pagjetur nën rrënoja.
Data 27 nëntor është shpallur Ditë Zie Kombëtare në të dyja shtetet shqiptare Kosovë dhe Shqipëri.























