Napoli prek fundin, mposhtet me përmbysje nga Bologna
BKT
Sport

Napoli prek fundin, mposhtet me përmbysje nga Bologna

Napoli ka harruar si fitohet, pasi nuk njeh suksesin prej plot 8 ndeshjesh, 6 prej të cilave në kampionat dhe dy të tjera në Ligën e Kampionëve, ku ka regjistruar dy humbje dhe 6 barazime.

Mbrëmjen e sotme, kur të gjithë prisnin kthesën e madhe përballë Bolognës në “San Paolo”, të kaltrit e Ancelottit zhgënjyen totalisht me paraqitjen e tyre, duke u mposhtur me përmbysje me rezultatin 1-2.

Pjesa e parë foli më shumë për vendasit, që krijuan disa mundësi shënimi dhe gjetën golin në minutën e 41-të me anë të sulmuesit spanjoll Fernando Llorente, që u gjet në vendin e duhur dhe shtyu në rrjetë një top të grushtuar nga portieri i Bolognës.

Në fillim të pjesës së dytë ishte Skov-Olsen që gjeti golin e barazimit për miqtë, ndërsa 10 minuta nga fundi, Sansone mori një asist të saktë nga Xhemajli dhe shënoi edhe golin e dytë për Bolognën, duke bërë që në “San Paolo” të nisin vërshëllimat.

Me këtë humbje Napoli jo vetëm “lan duart” me titullin kampion, por rrezikon edhe pjesëmarrjen në Champions, pasi aktualisht është 5 pikë larg vendit të katërt, distancë që rrezikon të bëhet 8 pikë, nëse Roma e Cagliari do të fitojnë ndeshjet respektive.