Mbi 2 mijë qytetarë të akomoduar në struktura hoteliere
BKT
Shqipëri

Mbi 2 mijë qytetarë të akomoduar në struktura hoteliere

Këshilli i Ministrave miratoi sot paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore.

Në komunikatën për shtyp, zyra e Drejtuesit Qendror të Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, bën të ditur se gjithashtu janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve special.

Po sipas kësaj komunikate, vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim

Ndërsa numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633, u  liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere.

Në Tiranë pesë Qendrat Sociale vazhduan të ofrojnë strehim dhe ushqim për banorët e pastrehë për shkak të tërmetit.

Edhe gjatë ditës së sotme vazhdoi shpërndarja e ushqimeve, veshjeve, barnave, produkte higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotele dhe për ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale.  Kjo përfshin bashkërendimin e ndihmave të ofruara nga shumë bashkëqytetarë, biznese, organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja (Itali, Greqi, Zvicër, etj.), vëllezër dhe motra nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga disapora.

Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, vazhdoi të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje, u përgatitën listat e fëmijëve dhe vazhduan përgatitjet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës.

Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara.

Vazhdoi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.


MË SHUME NGA Shqipëri