Basha: Mbështesim çdo përpjekje për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve
BKT
Shqipëri

Basha: Mbështesim çdo përpjekje për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se mbështesim çdo përpjekje që u vjen në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe nga ana tjetër, po bëjmë çfarë kemi në dorë si opozitë, për t’i ndihmuar, përmes vullnetarizmit dhe mbështetësve tanë.

Në një prononcim për mediet gjatë verifikimit të gjendjes në lagjen nr.7 në qendër të Durrësit, Basha theksoi se “e rëndësishme është të kuptojmë se po mbushet java e ngjarjeve tragjike dhe prioritare është ndihmesa ndaj këtyre njerëzve në nevojë. Ne në radhë të parë mbështesim gjithçka, çdo masë që merret për t’i ndihmuar këta njerëz dhe po bëjmë çfarë të mundemi ne si opozitë për t’i ndihmuar, kryesisht përmes vullnetarizmit tonë dhe mbështetësve tanë”.

Sipas tij, tani është koha për veprime urgjente, konkrete dhe të mirëkoordinuara.

Kreu i PD-së propozoi një plan me tre pika, ku pika e parë është organizimi i 500 apo më shumë inxhinierëve në mënyrë vullnetare, siç janë ofruar nga qeveria për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave. Vlerësimi i banesave të banorëve u jep siguri, u jep qartësi dhe kjo pastaj kontribuon edhe për qetësimin shpirtëror dhe mendor të paktën në këtë fazë të dytë të traumës që po jetojmë”.

“E dyta, vlerësimi i me urgjencë dhe ndarja në dy kategori kryesore: të banueshme dhe të pabanueshme, që banorët të kenë qartësi se çfarë do të bëjnë, të rrinë aty apo jo”, – tha Basha.

Ndërsa, vijoi Basha, pika e tretë e propozimit është të përdoren fuqitë që ka qeveria në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të anuluar afro 150 milionë dollarë të planifikuara për 10 oligarkë. 150 milionë dollarë të destinohen urgjentisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve në nevojë.

Ai tha se ekspertët tanë po punojnë për t’i zhvilluar edhe më tej.

“Së pari, PD, opozita e bashkuar mbështet çdo përpjekje të qeverisë dhe të çdokujt tjetër për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Së dyti, po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë çfarë kemi ne në dorë për të ndihmuar, përmes vullnetarizmit tonë dhe të mbështetësve tanë. Edhe një herë po ju them, nuk është koha për foto dhe për shfaqje. Tani është koha për veprime të mirëkoordinuara urgjente: Që të vlerësohet gjendja e banesave, të sigurohen njerëzit, që të garantohet siguria e tyre dhe pastaj t’u garantohet strehimi. Në funksion të kësaj është plani ynë trepikësh”, – tha Basha.


MË SHUME NGA Shqipëri