Pak optimizëm për rezultate të mira në testin PISA
BKT
Lajme

Pak optimizëm për rezultate të mira në testin PISA

Albana Karaj, Radio Kosova

Rezultatet e testit PISA 2018, dalin sot, është bërë e ditur në ueb faqen e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që ka projektin e PISA. Radio Kosova, ka mësuar se edhe kësaj radhe Kosova nuk ka pasur ngritje të kënaqshme, duke vazhduar të qëndrojë në fund të listës së vendeve më të dobëta në sistemin arsimor.

Testi ndërkombëtar PISA 2018, që ka matur njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në fushat si: shkencë, gjuhë dhe matematikë, përsëri nuk arriti të rangojë Kosovën të paktën pak më lart se sa në vitin 2015.

Radio Kosova ka mësuar se Kosova përsëri ka dalë me rezultat të dobët edhe në PISA 2018. Edhe pse Ministria e Arsimit është shprehur e bindur se këtë vit rezultatet do të jenë më të mira, megjithatë Kosova vazhdon të jetë e radhitur në vendet e fundit për sa i përket cilësisë së sistemit arsimor. Mustafë Kadriu, i cili ka qenë udhëheqës i divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministri, tha për Radio Kosovën se vlerësimet ndërkombëtare po tregojnë se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është e mirë. Ai tha se as kësaj radhe Kosova nuk është mirë. 

“Këtë po e them në bazë të asaj që është bërë korrigjimi i testeve, kodimi i testeve, informacionet që kemi, nuk jemi mirë as në këtë vlerësim. Unë kam qenë optimist, që të paktën 30 pikë të kemi më shumë, por do të shohim se pothuajse jemi gati në të njëjtin nivel, çka është shumë brengosëse. Ka shumë faktorë që duhet të bëhen analiza e të diskutohet për të ecur proceset përpara.”
Hulumtuesi nga Instituti “Edguar”, Rinor Qehaja, tha se do të shihen të gjitha detajet e rezultatit PISA 2018, por që, sipas tij, është e qartë që mos zbatimi i mirëfilltë i kurrikulës e çon Kosovën të rangohet në fund të vendeve më të dobëta në sistemin arsimor. 

“Kemi një kurrikulë të re me kompetenca, që në të njëjtën kohë nuk ka zbatim të mirëfilltë të saj dhe as përkrahje nga Ministria e Arsimit. Si e tillë, ky rezultat duket jo i befasueshëm. Rezultatin e mirë e sjell zbatimi i mirë i kurrikulës, me mësimdhënës të mirë dhe llogaridhënie të kujtdo të përfshirë në arsimin parauniversitar.”
Ndërkohë, Kadriu tha se pas rekomandimeve që u nxorën nga PISA 2015, ato nuk u realizuan si duhet për të arritur një sukses të vogël në PISA 2018. Testi PISA nxjerr në pah rezultatet për njohuritë dhe aftësitë e nxënësve në krahasim me vendet e tjera të botës. Kosova iu nënshtrua këtij testi për herën e dytë në prill të vitit 2018, i cili mbuloi leximin, shkencën dhe matematikën. Për testin PISA, Ministria e Arsimit, pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës. Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, u pat shprehur optimist se rezultatet e PISA 2018 do të jenë më të larta se në vitin 2015, por që realisht, Kosova është në të njëjtin nivel. 


MË SHUME NGA Lajme