LVV: Bisedimet vazhdojnë, s’ka ende datë për takim
Të heshtura për mospajtimet dhe për thellimin e ndasive të tyre po qëndrojnë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti të cilat po synojnë qe disa javë arritjen e një koalicioni, i cili do të ishte hapi i parë drejt krijimit të qeverisë së re.
Pas dështimit të tentativës së fundit, LDK-ja e LVV-ja nuk kanë ende datë se kur mund t’i rifillojnë bisedimet, shkruan sot gazeta Zëri.
Pas dështimit të arritjes së koalicionit, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollqaku i ka thënë “Zërit” se bisedimet me LDK-në do të vazhdojnë, por data se kur do të rifillojnë ato ende nuk është caktuar. “I keni dëgjuar deklaratat e dy kryetarëve. Do të ketë konsultime shtesë, bisedimet vazhdojnë. E patë që z. Kurti e theksoi që ka avancim, mirëpo tha se në disa çështje ka pasur papajtueshmëri, tani mbetet të shihet, mirëpo për momentin nuk ka datë ose orë se kur do të vazhdojnë bisedimet. Mbetet të pritet se kur do vazhdojnë bisedimet”, ka thënë ajo.
Se nuk ka ende datë për fillimin e bisedimeve për krijimin e një koalicioni e ka konfirmuar për këtë gazetë edhe zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.























