Rinis mësimi normalisht në të gjitha shkollat e Lezhës

Rinis mësimi normalisht në të gjitha shkollat e Lezhës

Ka rinisur këtë të enjte procesi mësimor në qarkun e Lezhës, ndërsa vetëm në qarkun e Durrësit, bashkinë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën.

Drejtori Rajonal i Lezhës, Bardhok Pulaj në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se mësimi ka filluar normalisht në të gjitha shkollat e Lezhës.

“Mësimi ka filluar normalisht në të gjitha shkollat e Lezhës. Fëmijët e ardhur në Shëngjin bëjnë mësim në shkollën e Shëngjinit. Kopshti është hapur tek hoteli Rafaelo. Nxënësit e shkollës së mesme me transport kanë filluar mësim në gjimnazin e Lezhës. Një pjesë kanë libra ndërsa pjesa tjetër do i marrin së shpejti. Janë pajisur me bazë materiale. Situata është nën kontroll”.

Tërmeti i 26 nëntorit preku rreth 4800 nxënës, pra që kanë shtëpi të dëmtuara apo të pabanueshme, ndërkohë që janë rreth 650 mësues në situatë të ngjashme. /ATSh