Eurokomisioneri i BE: Europa qëndron krah Shqipërisë

Eurokomisioneri i BE: Europa qëndron krah Shqipërisë

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Ndihmat humanitare dhe Menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič deklaroi sot se Evropa qëndron krah për krah me Shqipërinë në këtë moment të vështirë.

Ai theksoi se përveç 15 milionë eurove të alokuara tashmë për fazën e parë të emergjencës, do të ketë asistencë tjetër për fazën e rindërtimit. Ai u shpreh se pasi të bëhet vlerësimi për nevojat do të dalë edhe shifra e saktë dhe mbi atë shifër do të jepet asistenca e BE për Shqipërisë edhe për fazën tjetër atë të rindërtimit.

“Prezenca ime këtu është provë e solidaritetit të BE me Shqipërinë. Evropa qëndron krah për krah me Shqipërinë në këtë moment të vështirë pas kësaj fatkeqësie natyrore. Që ju shqiptarët ta dini që nuk jeni vetëm”, tha Komisioneri Lenarčič në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama nga Vora.

Komisioneri shprehu ngushëllimet për ata që humbën jetën si pasojë e tërmetit, për familjet e tyre, por shprehu edhe keqardhjen e tij për të gjithë ata, të cilëve iu prishën banesat prej tërmetit të 26 nëntorit.

Ai u shpreh se, BE u angazhua menjëherë me grupet e saj në operacionet e kërkim-shpëtimit për të shpëtuar sa më shumë jetë të ishte e mundur.

“BE i është përgjigjur thirrjes zyrtare për ndihmë të qeverisë së Shqipërisë. Ekipet tona erdhën që atë ditë. Asistenca jonë ka qenë dhe me anën e ekipeve të shpëtimit. Kjo ishte faza e parë. Tashmë jemi në fazën e dytë të vlerësimit të dëmeve. Pastaj është dhe faza e tretë që ka të bëjë me rindërtimin”, tha Komisioneri Lenarčič  .

Ai siguroi se, “Shqipëria do të ketë mbështetjen e BE në këtë proces. Do të japim asistencën tonë, kjo pasi Shqipëria është pjesë e Evropës. Ju jeni vend kandidat dhe ne nuk do t’ju zhgënjejmë. Ne do t’iu japim mbështetjen tonë edhe në fazën e tretë, e cila është faza e rindërtimit”.

“Siç e tha dje Presidentja e KE, Komisioni ka alokuar 15 milionë euro në mënyrë që këto t’i vinë në ndihmë Shqipërisë në fazën e parë dhe më pas do të pasohen me plotësimin e nevojave për fazën e rindërtimit.

Komisioneri theksoi se, “gjëja e parë që duhet të ndodhë është vlerësimi i nevojave pas fatkeqësisë natyrore. KE ka qenë në kontakt me OKB dhe Bankën Botërore që të përgatitet ky vlerësim për nevojat. Vetëm pasi të jetë bërë kjo gjë ne do të kemi shifrën dhe në bazë të saj  do të vazhdojmë të japim asistencën tonë Shqipërisë edhe për fazën tjetër atë të rindërtimit”. /atsh