Dardan Berisha mund të rikthehet te Peja
Dardan Berisha pritet që shumë shpejt t’i bashkohet Klubit Basketbollistik Peja.
Në fakt ka disa kohë që Dardan Berisha, ka probleme me Prishtinën dhe kjo kulmoi me kacafytjen në palestër me Edmond Azemin, ku për këtë rast u suspenduan të dy basketbollistët, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta ka marrë vesh nga burimet e sigurta se Dardan Berisha ka pranuar ofertën e Pejës dhe së shpejti pritet t’i bashkohet kësaj skuadre. Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Basketbollit Peja, Art Gashi, ka konfirmuar interesimin për Dardan Berishën, por ka thënë se deri më tani nuk ka asgjë zyrtare.
“Fakt është që ne jemi të interesuar për lojtarin dhe nuk dimë ndonjë klub që pretendon të fitojë e të mos e ketë në ekip, por për momentin nuk ka asgjë konkrete për shkak se ai ka disa çështje familjare që po dëshiron t’i zgjidhë dhe për momentin nuk ka asgjë zyrtare dhe as përgjigje nga ana e tij”, ka thënë Gashi.
“Fillimisht e kemi pyetur se a është i interesuar të luajë në Kosovë e më pas ta shohim. Ka mbetur të na japë përgjigjen për këtë çështje dhe më pas të vazhdojmë me kushte tjera”, ka deklaruar Gashi.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Florian Miftarin nga klubi i Prishtinës, por që i cili ka thënë se nuk ka ndonjë informatë për këtë rast.























