Filarmonia homazh për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Sharr Travel

Filarmonia homazh për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Filarmonia e Kosovës ka mbajtur koncertin e organizuar në kuadër të aktiviteteve në shënim të fushatës globale 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore.

Sipas programit u interpretua vepra vokale-instrumentale “Requiem” nga W.A Mozart nga Kori i Filarmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike në drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi. Ky koncert njëherësh përkoi me 70-vjetorin e lindjes së dirigjentit Rudi.

Koncerti ishte homazh për gratë dhe vajzat që ndërruan jetë si pasojë e krimit të dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe thirrje për mbështetje për të mbijetuarat e dhunës seksuale që vazhdojnë të vuajnë në heshtje.

Në rolin e solistëve u prezantuan sopranoja franceze Amelie de Broissia, mezzo-sopranoja kosovare Diellza Sylejmani, tenori Liridon Sadriu dhe bass-baritoni danez Lars Fosser.

Koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosove, Ulrika Richardson tha se vepra vokale-instrumentale “Requiemi” është muzikë me tone të ngrohta, që njëkohësisht shpreh dhimbjen për të kaluarën duke nderuar të vdekurit, dhe duke shprehur shpresën për të ardhmen.

Ndërsa, Dardan Selimaj, menaxher i Filarmonisë së Kosovës, tha se në prag të shënimit të 20-vjetorit të themelimit, përveç aktivitetit artistik, filarmonia për mision ka edhe përfshirjen në fushata vetëdijesuese si kjo për eliminim  e dhunës në baza gjinore.

Ndryshe, koncerti u mbështet nga Ministria e Kulturës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Kohavisioni, fuqizuar me mbështetjen e UN Women.