​Serri: Mungon kujdesi institucional ndaj atyre që iu shkelen të drejtat
Sharr Travel

​Serri: Mungon kujdesi institucional ndaj atyre që iu shkelen të drejtat

​Në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sot u konstatua se ka ende raste të shumta të mos respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë pavarësisht avancimit të kornizës ligjore.

Ndër probleme të tjera janë paraqitur edhe në procesin e koordinimit ndërmjet institucioneve për përmirësimin ose fuqizimin e të drejtave të njeriut.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE në Kosovë, Riccardo Serri tha se Qeveria e Kosovës duhet të ketë politika të mirëfillta dhe në strategjinë e re të saj duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të drejtat e njeriut.

Serri tha se Qeveria dhe kuvendi duhet të ketë një rol më aktiv, ndërsa gjyqësori duhet të zbatojë legjislacionin.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari me këtë rast tha se ka mungesë të koordinimit institucional dhe me shoqërinë civile për të gjeturat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. 

Jashari shtoi se në Kosovë nuk ka asnjë rast që udhëheqësit dënohen për shkelje të ligjit.

Sadete Demaj-Kajtazi, koordinatore e Zyrës për Qeverisje të Mirë në ZKM, tha se Kosova ka avancuar dukshëm legjislacionin në fushën e të drejtave të njeriut, por problemet ndodhin gjatë zbatimit të këtyre ligjeve.

Demaj-Kajtazi tha se Qeveria duhet t’i jep prioritet kësaj fushe, sepse ka probleme të natyrave të ndryshme.

Një fjalë rasti mbajti edhe Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila tha se sfidë mbetet implementimi i ligjeve në fuqi.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari paralajmëroi se nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ku do të mbahet një marsh në Prishtinë.