Tahiri: Çështja e presidentit të mos jetë pjesë e marrëveshjes VV-LDK
BKT
Lajme

Tahiri: Çështja e presidentit të mos jetë pjesë e marrëveshjes VV-LDK

Rrezarta Zekaj

Përcaktimi i seancës për konstituimin e Kuvendit është mirëpritur nga njohësit e çështjeve politike, dhe bazuar në afatet kohore, deri me 20 janar pritet krijimi i institucioneve të Kosovës.

Mirëpo, sipas tyre, edhe marrëveshja e formimit të koalicionit qeverisës Vetëvendosje-Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të arrihet shpejt, pa përfshi çështjen e presidentit në këtë mes.

Në seancën e 24 dhjetorit pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, Kryesia dhe grupet parlamentare. Politologu Ramush Tahiri sqaron për Radio Kosovën procedurat e konstituimit të Kuvendit:

“Nëse përfundohet séance konstituive, presidenti e ka afatin 15 ditë, pra, deri me 10 janar për ta caktuar mandatarin dhe mndatari i ka 15 ditë për ta caktuar qeverinë ose kabinetin qeveritar dhe për t’u votuar në Kuvend, që i bie diku nëse shkojnë kështu afatet deri me 20 janar”, ka thënë Tahiri.

Bazuar në Kushtetutë, pozita e kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, por në këtë rast LDK ka kërkuar ta ketë këtë pozitë,  dhe sipas Tahirit, kjo mund të jetë problematike:

“Te mbledhja konstituive problem është se LDK ka kërkuar që ta ketë kryeparlamentarin nga radhët e saja. Me kushtetutë kryeparlamentarin e propozon partia e parë fituese, në këtë rast Vetëvendosja. Në këtë rast VV e ka kryetarin dhe një nënkryetar, por nëse kryetarin jashtë normës Kushtetuese do t’ia japë partisë së dytë fituese, në këtë rast LDK-së, sepse ajo e ka kërkuar, atëherë VV duhet t’i ketë dy nënkryetarë për ta respektuar normën kushtetuese LDK-ja mos me pas një tjetër përveç kryetarin”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri pret që deri me 24 dhjetor partnerët e koalicionit të arrijnë marrëveshjen duke theksuar se çështja e presidentit të mos jetë pjesë e saj:

“Do të ishte e drejtë dhe kushtetuese që çështja e presidentit të mos hyjë në marrëveshjen për qeverisje, sepse presidenti është mbi palët,është neutral, dhe mbron kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë. Në këtë rast, nëse presidenti zgjidhet me marrëveshje të VV dhe LDK-së asnjë nga këto karakteristika që po i theksoj nuk do t’i kishte…, por do të ishte një argat i qeverisë ose i partnerëve të koalicionit”, ka thënë ai.

Ai thotë se çështja e presidentit duhet të lihet më vonë dhe se nuk ka alternativë tjetër për qeverisje të vendit, përveç Vetëvendosjes dhe LDK-së edhe nëse vendi shkon në zgjedhje.


MË SHUME NGA Lajme