Këshilli Evropian mirëpret vendimin për konferencë donatorësh për Shqipërin
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca njoftoi sot rezultatet e mbledhjes së Këshillit Evropian mbajtur mbrëmjen e kaluar.
Soreca njoftoi se Këshilli Evropian i 12 dhjetorit qëndron në solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit dhe mirëpret njoftimin e KE-së për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë donatorësh.
“Përfundimet e Këshillit Evropian të 12 dhjetorit 2019: “Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit të fundit. Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë donatorësh”, theksoi Soreca.
Mbrëmjen e kaluar, ishte presidenti francez, Emanuel Macron i cili në deklaratën në hapje të Këshillit Evropian, shprehu solidaritetin me popullin shqiptar pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 të vdekur dhe mijëra të pastrehë.
Presidenti francez, Macron theksoi se Bashkimi Evropian do të ofrojë politikë ndihme dhe se do të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh në dhjetor ose në janar.























