Dita e derbit shqiptar, solidaritet dhe betejë
Një derbi ndryshe, për shumë arsye. Luhet në “Air Albania Stadium”, prej orës 19:00 mund të ketë një numër rekord tifozësh dhe një pjesë e të ardhurave do të shkojë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sigurisht nuk do të ketë solidaritet në fushë, aty do të jetë një betejë e vërtetë. Partizani do vazhdimësinë, Tirana lavdinë e munguar.
Të dyja ekipet vijnë me mungesa. Telushi e Broja janë të pezulluar prej kartonëve, kurse Mala i dënuar nga klubi i kuq. Tiranën e kanë gjymtuar dëmtimet. Dunga, Hasani dhe Osmani nuk mund të luajnë, ashtu sikurse Elton Cale. Ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Ajo që e bën edhe më të çuditshëm derbin është fati që bardheblutë vetëm një javë më parë shkarkuan trajnerin Julian Ahmataj, shkruan abcnews.
ZGJEDHJET E TRAJNERËVE – Egbo do ta drejtojë ekipin bardheblu në derbi dhe sonte Tirana do të jetë ndryshe. Për formacionin ka dilema, duke nisur nga mbrojtja. Gentian Muça u paraqit mirë me Kukësin, por ende nuk është vendosur përfundimisht nëse ai e nis nga fillimi edhe sot. Imami me shumë mundësi rikthehet titullar, kurse Grent Halili pritet të sakrifikohet këtë herë dhe në krah të sulmit të luajë Torassa. Gjithsesi gjendja e Cobbinah mund të përmbysë shumë gjëra deri para ndeshjes. Tirana është një mister para derbit.
Formacioni i mundshëm i Tiranës: Lika, Vangjeli, Muça, Imami, Hoxhallari, Batha, Çelhaka, Cobbinah, Doka, Torassa, Ngo.
Partizani, pritës, ka një grup që i ofron shumë mundësi trajnerit Franco Lerda. Italiani pritet të rikthehet te skema me tre mbrojtës, me Bitrin që i bashkohet Belicës dhe rumunit Boldor. Në portë i padiskutueshëm është Alban Hoxha. Qendra e mesfushës do të ribëhet. Cordeiro mbetet titullar, ndërkohë që nga fillimi pritet ta nisë Romero. Kristi Kote ka gjasa të plotësojë treshen e qendrës. Nga krahët nuk ka lëvizje, me dyshen Idrizaj-Trashi që do të ndihmojnë mbrojtjen dhe sulmin. Asani dhe Çinari janë ata që sakrifikohen, pasi Solomon e Bardhi janë të preferuarit e Lerda për repartin ofensiv këtë herë.
Formacioni i mundshëm i Partizanit: Hoxha, Bitri, Belica, Boldor, Idrizaj, Cordeiro, Romero, Kote, Trashi, Bardhi, Solomon.
ARBITRAT – Derbi është ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave dhe normalisht një që mban stemën e FIFA-s do të vendosë drejtësi. Enea Jorgji është i përzgjedhuri nga FSHF, ndërkohë që anësorë do të jenë Denis Rexha dhe Rejdi Avdo. I katërt është Dojando Myftari. Normalisht për këtë ndeshje ka edhe arbitra linje. Juxhin Xhaja, i cili mban stemën e FIFA-s, dhe arbitri që mbajti derbin e parë këtë sezon, Kridens Meta, do të jenë pas portave për të ndihmuar arbitrin kryesor të takimit.























