Gashi: Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2020, pengesë për projekte kapitale
BKT
Lajme

Gashi: Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2020, pengesë për projekte kapitale

Bardha Shkreli

Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës arrijnë të miratojnë buxhetin për vitin e ardhshëm para datës 31 dhjetor, rrjedha e planifikimeve të shpenzimeve për vitin 2020 do të ndryshojë. Ekspertët e ekonomisë tregojnë se nëse vendi hyn në 2020 pa buxhet të miratuar, sipas ligjit mund të shfrytëzohet një e dymbëdhjeta pjesë e buxhetit për pagesa elementare.

Seanca konstituive tashmë është thirrur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me datë 26 dhjetor. Pas kësaj date janë vetëm 5 ditë në dispozicion për qeverinë e re që të prezantojë para deputetëve buxhetin  për vitin e ardhshëm. Dhe, nëse vendi do të hyjë në 2020 pa e miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, pengesat kryesore do të jenë te projektet kapitale. Këtë e shpjegon edhe eksperti i ekonomisë Naim Gashi.

 “Pengesat kryesore sa i përket mos miratimit të ligjit është tek projektet kapitale të cilat pa buxhetin e miratuar nuk mund të fillojnë të realizohen, ndërsa sa i përket funksionimit të aparatit shtetëror dhe funksionimit të institucioneve publike nuk pritet të ketë ndonjë problem për faktin se në janar të vitit 2020 me automatizëm shfrytëzohet 1/12 e vitit paraprak që në këtë rast i bie janari i vitit 2019”, theksoi ai.

Njohësi i rrethanave politike e ekonomike në vend, Zekrija Shabani thotë se afati i fundit që Qeveria të miratoj buxhetin është muaji mars.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ketë parasysh faktin se afati i fundit kur ne mund të shkojmë pa buxhet të miratuar është muaji mars, përndryshe rrezikon të paralizohet pjesa më e madhe e institucioneve të Kosovës. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e miraton ose nuk merr një vendim të ri që të shfrytëzohet 1/12 ...", tha ai.

Pavarësisht se qeveria e ardhshme duhet të ketë prioritet miratimin e buxhetit, ajo nuk do të ketë shumë kohë për ndryshimet në planifikimin e tij.

 


MË SHUME NGA Lajme