Në dy fakultete në Tiranë nuk po mund të mbahet mësim, shkak tërmeti
BKT
Shqipëri

Në dy fakultete në Tiranë nuk po mund të mbahet mësim, shkak tërmeti

Për shkak të gjendjes të jashtëzakonshme të krijuar nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, u dëmtuan edhe disa institucione arsimore.

Një prej tyre është edhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik të Tiranës ku në të 5 katet e tij, situata është e njëjtë, e rrezikshme për studentët e këtij Fakulteti. Edhe auditorët nuk janë gati për nisjen e procesit mësimor. Siç e shikoni nga pamjet që ofron operatori Ermal Gjidede, faqet e mureve janë të plasaritura si dhe krisjet janë të dukshme, raporton Top Channel.

Ndaj procesi mësimor këtu do të filloj më datë 6 janar, ndërsa në fakultetet e tjera të Universitetit Politeknik të Tiranës mësimi nis më datë 16 dhjetor.

Dëmet në Fakultetin e Inxhinierisë u shkaktuan që me tërmetin e shtatorit, nga ku u nënshkrua një kontratë riparimi më 23 tetor në vlerë rreth 3 milionë lekë. Por rikonstruksioni nuk zgjati as një muaj, pasi ndërtesa u kthye në gjendjen e mëparshme, ku u vlerësua e rrezikshme për nisjen e mësimit.

Mësimi u ndërpre përgjatë gjithë muajit dhjetor edhe në Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, si pasojë e gjendjes të rëndë të ambienteve në këtë institucion. Rektori Arben Gjata vendosi rifillimin e procesit mësimor më 6 janar. Ndërsa, kujtojmë se studentët e Universitetit të Tiranës kanë nisur mësimin më 10 dhjetor, si dhe po diskutohet për kur do të zëvendësohen orët e pazhvilluara.


MË SHUME NGA Shqipëri