Gazmend Muhaxheri: Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë LDK-ja
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se problem i vetëm mes LDK-së dhe Vetëvendosjes mbetet posti i presidentit dhe sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i drejtojë LDK-së.
Në RTV Dukagjini, Muhaxheri ka thënë se VV dhe LDK janë pajtuar dhe tashmë i kanë ndarë të gjitha ministritë dhe ka deklaruar se është zgjedhur edhe problemi i ministrive të përfolura, duke pohuar se “Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë LDK-ja” dhe se marrëveshja mes dy partive do të arrihet më 26 dhjetor.
Muhaxheri ka thënë se personalisht ka qenë kundër që LDK-ja të merr Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe për shkak të performancës së kaluar, por sipas tij me shumicë votash kryesia e LDK-së ka vendosur për të marrë këtë ministri.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se nuk është e nevojshme që LDK të tregojë emrin e Presidentit, derisa edhe për pozitat tjera arrihet marrëveshje vetëm në parim.
“As emrat e ministrave e as emrin e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosje nuk e di, por ne jemi marrë vesh vetëm në parime”, tha ai dhe shtoi se ka një agjendë për të lënë fajtore LDK-në si shkaktare që po vonohet formimi i institucioneve.
“Përmes presionit publik po mundohen që LDK-së t’i imponohen disa marrëveshje që nuk i konvenojnë. Këto presione vijnë nga Vetëvendosje, opinionistave që po na dalin nga partitë politike dhe subjekteve tjera që nuk kanë qenë të interesuara që të bëhet kjo marrëveshje”, tha ai.
Muhaxheri ka thënë se LDK-ja ka ofruar edhe alternativën tjetër, nëse Vetëvendosje do për të zgjedhur.
“Nëse nuk iu pëlqen të na japin presidentin dhe kryetarin e Kuvendit, le të na japin kryeministrin dhe le ta marrin presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe ministritë që i duan”, tha ai.























