Arben Gashi: Negociatat për arritjen e koalicionit kërkojnë kohë
BKT
Lajme

Arben Gashi: Negociatat për arritjen e koalicionit kërkojnë kohë

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se negociatat për arritjen e koalicionit me Vetëvendosjen, kanë një proces që merr kohë dhe sipas tij në këtë mënyrë është krijuar një model i mirë diskutimi.

”Është një proces që kërkon kohën e vet. Është ndërtuar një model i mirë i diskutimit”, tha ai në, Klan Kosova dhe shtoi se kanë hyrë në fazën e dytë kur është dashur ta bëjmë parimin për qeverisjen.

”Parimi i dytë që është ndërtuar është që qeverisja të jetë integrale dhe unike. Që të mos krijohen përshtypje që në një anë të jenë ministra të LDK-së e në anën tjetër të ketë ministra të VV-së dhe qeveria të funksionojë si dypolare. Ideja është që të kemi një qeverisje unike, e bazuar mbi një program që do të ketë rezultate”, tha ai.

Vonesat në arritjen e koalicionit qeverisës, sipas Gashit është procesi zgjedhor, numërimi dhe rinumërimi.

“Po të ishte bërë një koalicion formal, që në natën që kanë dalur rezultatet, prapë kjo kohë do të merrej sepse do të merrte kaq kohë në konstituimin e institucioneve. Tani jemi në kohën limit, sepse presidenti veçse e ka caktuar datën e seancës konstituive”, tha Gashi dhe shtoi se Presidenti Thaçi ka përdorur afatet e limitit maksimal brenda kohësh.

“Brenda ditësh do të kemi seancën e parë që do të merret me zgjedhjen e organeve të Kuvendit nëse do të kemi marrëveshje”, tha ai dhe shtoi se mundësia që mund të mos ketë marrëveshje, pasi marrëveshja nuk është formale, e derisa nuk është nënshkruar.

Ai komentoi edhe deklaratat e Glauk Konjufcës, i cili tha se VV ka bërë 3 kompromise me LDK-në.

”Nuk është reflektim i vërtetë i asaj që ka ndodhë. Ideja fillestare ka qenë të ndërtojmë një platformë se si është një Qeveri e balancuar. Meqë kemi pasur një dakordim parazgjedhor, në rast se partia jonë del e para ne do kërkojmë pozitën e kryeministrit. Por nëse jo, i bie ta kërkojë nëse do Vetëvendosje pozitën e kryeministrit, e pozitat tjera të ndahen proporcionalisht. Këtu është kërkuar të krijohet një balancim, sepse çështja ishte garantimi i një qeverie stabile sepse i parashihnim rreziqet. Rreziku më i madh është që pas një viti  mund përçahemi me koalicionin që ndërtojmë sot, si rezultat i një mosmarrëveshje që mund të ndodhë për postin e presidentit i cili është vakant”, tha Gashi.

Ai shtoi se ideja është që kryeministri, Presidenti e kryetari i Kuvendit baraspeshohen dhe të tjerat ministri, pasi disa ministri kanë peshë më të madhe. “Por kemi propozuar edhe me idenë, që ngado që mendoni që është më mirë, zgjidhni ju pjesën tjetër e marrim ne”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme