Sulmi ndaj gazetarit, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve
IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të cilët dyshohet se nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare kur Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, dyshohet se e ka sulmuar gazetarin e “Indeksonline”.
IPK ka njoftuar se mbrëmë përmes “Linjës së Kaltër” (numrit të telefonit pa pagesë në IPK 080003333) ka pranuar ankesën e gazetarit të “Indeksonline” për incidentin që është raportuar të ketë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .
Bazuar në autorizimet ligjore, hetuesit e IPK-së me të pranuar ankesë kanë dalë në vend ngjarje.
Në vazhdën e veprimeve hetimore, IPK ka njoftuar prokurorin kompetent dhe në koordinim me të njëjtin janë ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë që kanë qenë prezent kur ka ndodhur incidenti.
Hetimet e IPK-së janë duke u zhvilluar me dyshimin se zyrtarët policorë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe për këtë dyshohet se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në konsultim me prokurorinë kompetente rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.























