Hoti takon drejtorët e shkollave në Pejë
BKT
Lajme

Hoti takon drejtorët e shkollave në Pejë

2404 nxënës fitues ka pasur gjithsej Komuna e Pejës në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 38 në nivelin republikan, 215 në nivelin komunal dhe 2151 fitues në nivelin shkollor të garës.

Për këtë sukses të nxënësve, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Rexhep Hoti, tha se meritor është drejtoria komunale e arsimit së bashku me drejtorët e shkollave të kësaj komune. Koordinatori Hoti e tha këtë në një takim që mbajti me Drejtorin e DKA-së Besim Avdimetaj dhe drejtorët e shkollave në Pejë, ku i falënderoi ata për mikpritjen.

“Duhet të besojmë në arsimin tonë, ku ne ju besojmë juve fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre për 365 ditë të vitit. Drejtori dhe mësuesi duhet të jenë autonom në punën e tyre dhe kështu suksesi nuk do të mungojë. Në nivel të Republikës kemi 44723 fitues që tregon që vullneti dhe puna e pandalshme nga punëtoret e arsimit dhe me punën tonë të përbashkët me profesionalizëm mund të arrijmë ta zhvillojmë arsimin dhe jo vetëm ta kritikojmë. Kam kënaqësinë të ju njoftoj se bursat janë në përfundim të shpërndarjes, shumë shpejt do të shpërndahen edhe setet librat për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës”, tha ndër të tjera Hoti.

Ndërsa, Drejtori Avdimetaj e falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe i uroi mirëserdhe atij dhe të pranishmëve. Po ashtu, ai i përgëzoi të gjithë të pranishmit për punën e palodhshme të kolektivit të shkollave dhe drejtorëve ku kanë arritur rezultatet të këndshme si Komunë në garat nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik si dhe në garat nacionale të Diturisë.

Në shenjë falënderimi për bashkëpunim dhe për kontributin e dhënë në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe garat e Diturisë, Hoti ndau mirënjohje për drejtorin e DKA-së dhe drejtorët e shkollave.

 


MË SHUME NGA Lajme