Fëmija i spiunëve rusë mund të mbajë nënshtetësinë kanadeze
Gjykata Supreme e Kanadasë ka marrë vendim që i biri i një cifti spiunësh rusë, mund të mbajë nënshtetësinë e tij kanadeze.
Alexander Vavilov ka lindur në Kanada dhe është pajisur me pasaportë kanadeze me bindjen se prindërit e tij ishin shtetas kanadezë.
Por në fakt, prindërit e tij kishin përdorur identitete të rreme për të vepruar nën “mbulesë të thellë” për qeverinë ruse.
Vendimi i favorshëm i jep fund një beteje të gjatë të Z. Vavilov për të mbajtur nënshtetësinë dhe për t’u kthyer në Kanada.
Alexander Vavilov ka lindur me emrin Alexander Foley në Toronto më 3 qershor 1994 nga prindërit Tracey Lee Ann Foley dhe Donald Hoëard Heathfield.
Vëllau i tij më i madh, Timothy, gjithashtu pat lindur në Toronto, katër vjet më përpara.
Mirëpo, emrat e vërtetë të prindërve të tyre ishin në fakt Elena Vavilova dhe Andrey Bezrukov dhe ata ishin të angazhuar në dërgimin e informacioneve të ndjeshme nga Kanadaja në Rusi.
Kur Vavilov ishte vetëm dy vjec, familja u shpërngul në Francë dhe më pas në SHBA, ku edhe nisën dyshimet e para rreth tyre.
Prindërit e tij u arrestuan nga FBI në vitin 2010. Vavilov atëherë ishte vetëm 16 vjec dhe deri në atë moment, ai dhe vëllau i tij, nuk ishin në dijeni për identitetin e tyre të vërtetë.
“Ishte traumatizuese,” tha Vavilov për CBC Neës më 2018, pasi fitoi apelin e cështjes. “Nuk e kisha idenë se cfarë po ndodhte”.
Këmbimi i spiunëve
Bezrukov dhe Vavilova u arrestuan bashkë me tetë individë të tjerë, përfshirë spiunen ruse Anna Chapman, që është shndërruar në spiunen më të njohur të kapur nga autoritetet amerikane.
Ata pranuan fajësuan dhe janë kthyer mbrapsht në Rusi si rezultat i një operacioni këmbimi të spiunëve. Ata u këmbyen me katër spiunë rusë që ishin burgosur nga Moska, nën akuzat se kishin bërë spiunazh për Perëndimin.
Njëri prej tyre ishte edhe Sergei Skripal, i cili ishte burgosur për 13 vjet në Rusi pasi kishte zbuluar për Shërbimin e Inteligjencës Britanike, MI6, identitetin e agjentëve të fshehtë rusë në Europë.
Në vitin 2018, z. Skripal dhe e bija, u gjetën të helmuar me agjensë nervorë në një stol parku në Mbretërinë e Bashkuar, gjë për të cilët zyrtarët besojnë se ishte një hakmarrje shtetërore për tradhti ndaj Rusisë. Ata i mbijetuan helmimit, por një qytetar i Mbretërisë së Bashkuar vdiq.
Pak para dëbimit të prindërve, Alexander Vavilov dhe vëllau i tij më i madh u nisën në një udhëtim të planifikuar paraprakisht për në Europë, përfshirë një vizitë me vizë turistike në Rusi.
Kur Alexander Vavilov u përpoq të rinovojë pasaportën e tij kanadezë në ambasadën e këtij vendi në Moskë, kjo gjë iu mohua, pasi që atij i thanë se nënshtetësia e tij kanadeze ishte revokuar.
Arsyetimi që i ishte dhënë atëbotë ishte se fëmijët e lindur nga “një oficer diplomatik ose konsull ose një përfaqësues tjetër ose punonjës I një qeverie të huaj në Kanada” janë të përjashtuar nga shtetësia, edhe nëse ata kanë lindur në tokën kanadeze.
Një gjykatë federale mohoi kërkesën e Alexander Vavilov për shqyrtim gjyqësor, por një gjykatë apeli i ktheu atij shtetësinë.
Ministri i Qytetarisë dhe Emigracionit apeloi kundër këtij vendimi dhe për pasojë cështja u dërgua në Gjykatën Supreme të Kanadasë.
Gjykata tha se ligji që ndalon shtetësinë e fëmijëve të përfaqësuesve të huaj, nuk zbatohej nëse prindërve të tyre nuk u ishin dhënë privilegje diplomatike dhe imunitete.
Gjykata arsyetoi vendimin e saj me faktin se meqenëse identiteti i vërtetë i prindërve të tyre si spiunë rusë ishte sekret, vëllezërit asnjëherë nuk gëzuan status diplomatik nga ana e qeverisë kanadeze.
Artikull i BBC
Përktheu: Zejnepe Qorraj























