Mini-Shengeni ballkanik lë në hije marrëveshjet Kosovë – Shqipëri
BKT
Lajme

Mini-Shengeni ballkanik lë në hije marrëveshjet Kosovë – Shqipëri

Nisma rajonale e ashtuquajtur Mini-Shengeni ballkanik ka tensionuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke lënë nën hije edhe dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme të nënshkruara ndër vite mes dy shteteve.

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që përfshijnë fusha, deri më tani nuk kanë gjetur zbatim në tërësi dhe sipas analistëve politikë në Tiranë dhe analistëve ekonomikë në Prishtinë, kjo tregon se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në një pikë mjaft të ulët.

Opinionisti nga Tirana, Armand Shkullaku  thotë se raportet mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, janë tensionuar pas takimeve që po mbahen në kuadër të nismës rajonale “Mini-Shengeni” ballkanik, por sipas tij, kjo nismë nuk është arsyeja e vërtetë që po pengon zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Shkullaku thotë se marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve janë në pikën zero të zbatimit, kështu që ato nuk mund të dëmtohen, pasi që nuk janë zbatuar fare.

“Marrëveshjet mes dy shteteve do të dëmtoheshin në rast se ato do të funksionin më së miri. Janë nënshkruar disa marrëveshje mes dy vendeve, por deri më tani kanë mbetur vetëm në letër. Pengohet diçka që është duke u zhvilluar jo diçka që është akoma në projekt. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në një pikë mjaft të ulët”, thotë Shkullaku.

Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin dhe lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i analizojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, në veçanti ato nga fusha e ekonomisë.

“Politika e fqinjësisë së mirë nga Tirana zyrtare duhet të fillojë nga Prishtina dhe të vazhdohet më tutje, e jo të shikohet që të shkohet me marrëveshje të reja si “Mini-Shengeni”, të cilat në fakt paraqesin privilegje për ekonominë më të madhe të Ballkanit, siç është Serbia që ka GDP-në 48 miliardë euro, që është dukshëm me e madhe se e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku”, thotë Gashi.


MË SHUME NGA Lajme