KDI i bën thirrje VV dhe LDK që sa më parë të formojnë institucionet e reja
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të mos ketë vona në formimin e institucioneve të reja.
Përmes një komunikate për medie, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga partia fituese që sa më parë dhe pa asnjë vonesë të krijojë institucionet e reja.
KDI vlerëson se mosformimi i institucioneve të reja është duke e cenuar parimin e kontrollit dhe balancit të pushteteve, shkruan lajmi.net.
“KDI iu bën thirrje subjekteve politike parlamentare që në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve, të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet në arritjen e konsensusit për formimin e institucioneve të reja. Çdo sjellje politike iracionale dhe bllokuese do të pengojë konstitutimin e institucioneve shtetërore dhe do të minojë pritjet e qytetareve për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, mirëqenie e jetë të dinjitetshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KDI-së.
Njoftimi i plotë i KDI-së pa ndërhyrje:
Tanimë kur kanë kaluar katër muaj që nga shpërndarja e legjislaturës së VI-të, të Kuvendit të Kosovës, dhe një muaj që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, vendi po vazhdon të qeveriset nga Qeveria në dorëheqje dhe pa mbikëqyrje të Kuvendit. Kjo gjendje është duke cenuar parimin e kontrollit dhe balancit të pushteteve.
Thirrja e seancës konstituive për datën 26 dhjetor është hapi i parë formal drejt krijimit të institucioneve të reja, respektivisht konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së Kosovës. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson që subjektet politike parlamentare kanë pasur kohë të mjaftueshme për të arritur pajtueshmëri për propozimet për Kryetar dhe pesë Nënkryetarëve të Kuvendit, për votimin e të cilëve kërkohen të paktën 61 vota për.
KDI iu bën thirrje subjekteve politike parlamentare që në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve, të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet në arritjen e konsensusit për formimin e institucioneve të reja. Çdo sjellje politike iracionale dhe bllokuese do të pengojë konstitutimin e institucioneve shtetërore dhe do të minojë pritjet e qytetareve për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, mirëqenie e jetë të dinjitetshme.
KDI rikujton që Qeverinë e re të Kosovës e presin çështje që kërkojnë trajtim të menjëhershëm siç janë miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal, implementimi i reformave që derivojnë nga MSA-ja, si dhe emërimi i anëtarëve të institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit.























