Kurti dhe Mustafa sot duhet të mendojnë si qytetarë, jo si kryetarë partish
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Haxhi Avdyli, u ka bërë thirrje krerëve të partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.
“Në momentin kur jemi 24 orë para konstituimit të Kuvendit, është momenti që kryetari i LDK-së e VV-s më shumë të mendojnë si qytetar i Kosovës me shumë halle e kërkesa e më pak si kryetar partish. Më shumë të takohen me punëtorë të sektorit privat, me arsimtarë e studentë, me mjekë e pacientë , me bujq e biznesmenë e më pak të dëgjojnë jurishnikët partiakë, militantë, servil e karrierista që më shumë kanë hallin e vetes e klanit se sa hallin e shtetit”, është shprehur Avdyli, transmeton Klan Kosova.
“Guri në rrugën e koalicionit mund të hiqet nëse bëhemi bashkë për ta larguar e nga ai gur të ndërtojmë Ura mirëbesimi e bashkëpunimi afatgjatë. Sepse ai guri (posti i Presidentit) mbetet vetëm një mjet për të larguar malin e gurëve e shkëmbinjve të keqqeverisjes së kaluar e fushave të minuara nga ata”.
“Koha është sot që Isa Mustafa ,Vjosa Osmani e Albin Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund ti hakmerret dy palëve por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye. Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit që veç në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”.























