Gratë duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në fuqizimin e pozitës së tyre
Sot, me 26 dhjetor 2019 “Forumi për Udhëheqje dhe Diplomaci” ka mbajtur debatin me gratë dhe vajzat për proceset e vendimmarrjes, me temën: Udhëheqja e partive politike; Çfarë kërkohet për të siguruar pjesëmarrje të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në sferën politike?
Në këtë debat, përveç grave pjesëmarrëse, prezent ishte edhe Mimoza Kusari-Lila, deputete e Parlamentit të Kosovës dhe themeluese e partisë politike “Alternativa”, pastaj Njomza Emini, drejtoreshë e OJQ-së “Akademia për Lidership dhe Diplomaci”, si dhe mysafirët: Cory Jacobson Giacobbe,nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Danijela Barisic, nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë. Evenimenti u moderua nga Adelina Emini.
Njomza Emini, fillimisht falënderoj deputeten Mimoza Kusari-Lila, e cila përkundër obligimeve që ka pasur sot rreth marrjes së mandatit të ri si deputete, ka gjetur kohë që t’i bashkohet debatit të sotëm. Pasi ka falënderuar edhe pjesëmarrëset tjera në këtë debat, Emini ka thënë se bashkëpunimi dhe mbështetja që gratë i ofrojnë njëra-tjetrës, ndihmon në rritjen e prezencës së tyre në jetën publike. Emini ka shtuar më tej se gratë duhet të shtojnë aktivitetet që janë në funksion të përmirësimit të pozitës së tyre në komunitetin ku veprojnë në vazhdimësi. “Përpjekjet tona, të cilat ndonjëherë mund të hasin edhe në vështirësi dhe sfida të ndryshme përgjatë rrugës për të ngritur zërin ndaj padrejtësive dhe fenomeneve negative, nuk duhet të lejojmë që të na dobësojnë, por duhet të na inkurajojnë që të vazhdojmë përpara dhe të arrijmë objektivat tona për trajtim të barabartë”, ka thënë Emini.
Ajo ka theksuar se debatet sikur ky duhet t’iu shërbejnë grave si mundësi për të mësuar sa më tepër nga njëra -tjetra, dhe që në përfundim të projektit ato të dalin si pjesëmarrëse që kanë mësuar, kanë dëshmuar vlerat e tyre, dhe që janë në gjendje t’iu ndihmojnë edhe grave tjera me këto informacione.
Ndërsa, deputetja Kusari-Lila, fillimisht uroj nisjen e këtij projektin duke shprehur mbështetjen e saj për gratë dhe duke sjellë para pjesëmarrëseve rrugëtimin e saj jetësor drejt karrierës akademike e politike, si dhe për vështirësitë dhe sfidat që ka pasur, në veçanti në sferën politike. Ajo tutje reflektoi rreth sfidave të arritjes së barazisë gjinore në politike, duke ndarë eksperiencën e saj nga qeverisja lokale në Komunën e Gjakovës dhe rreth sukseseve që ajo ka arritur përgjatë kësaj qeverisjeje. Kështu, ajo ka motivuar gratë për të marrë pozita udhëheqëse. Po ashtu, ajo ndau dhe eksperiencat personale si deputete në Parlamentin e Kosovës dhe politikat që ajo ka përkrahur për barazi gjinore. Cory Jacobson Giacobbe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe Danijela Barisic nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë, po ashtu ndanë eksperiencat nga vendet e tyre rreth barazisë gjinore dhe sfidave për fuqizimin e grave në sektorë të ndryshëm. Përfitueset e projektit patën mundësi të parashtrojnë pyetje të shumta për panelistet dhe të ndajnë opinionet dhe eksperiencat e tyre rreth rolit të grave në lidership dhe përvojave që vazhdojnë të sfidojnë gratë në këtë sferë.
Në përmbyllje të sesionit të debatit, Emini falënderoj panelistet dhe pjesëmarrëset në diskutim, si dhe bëri thirrje për më shumë përkrahje për gratë nga gratë, në mënyrë që të rritet prezenca e tyre në jetën politike, në funksion të përmirësimit të pozitës së gruas në komunitetin ku jetojnë dhe veprojnë.

























