​FSK në misione paqeruajtëse bashkë me Gardën Nacionale të Iowa-s
BKT
Lajme

​FSK në misione paqeruajtëse bashkë me Gardën Nacionale të Iowa-s

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të planifikimit që në vitin 2021, me një numër simbolik të pjesëtareve të marrë pjesë në misione paqeruajtëse në botë.

Tashmë ka marrë konfirmim dhe kontributin e saj në misione paqeruajtëse do ta bëjë përkrah Gardës Nacionale të Iowa-s. FSK në vitin që lëmë pas, ka shënuar vitin e parë me mandat ushtarak. Tani është më e avancuar, shumë më e pajisur dhe profesionale, veçse i duhet buxhet më i madh për shkak të rritjes së kapaciteteve.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili vazhdimisht ka deklaruar se Forca është e përgatitur dhe e gatshme për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse, në një intervistë për KosovaPress, konfirmon se këtë do të bëjnë bashkërisht me Gardën Nacionale të Iowa-s, fillimisht me një numër simbolik të pjesëtarëve të FSK-së.

“Ne jemi në proces dhe kemi marrë konfirmimin, jemi në proces të planifikimit dhe në 2021, ne do të jemi pjesë e misioneve paqeruajtëse bashkërisht me Gardën Nacionale të Ajovës(Iowa). Jemi në fazën planifikuese, duhet të marrim një numër simbolik, por në të njëjtën kohë është shumë domethënëse për ne. Në një farë forme hapen ato dyer dhe mundësi që ne sikur të gjitha vendet demokratike, por të njëjtën kohë sikur në të gjitha vendet e ushtritë moderne, që të jemi pjesë e tyre. Hapet në një farë forme një mundësi e mirë që ne të shpaguajmë atë që në moment të vështira populli ynë ka qenë, që të shpaguajmë dhe të japim kontributin tonë për misione paqeruajtëse, bashkërisht me Gardën Nacionale të Iowa-s”, thotë Rama.

Komandanti i FSK-së, thotë se vitin e parë të tranzicionit e kanë tejkaluar pritshmërinë, duke theksuar se viti 2019, më shumë ka qenë me çështje administrative, siç janë ndryshimet e rregulloreve dhe procedurave të standardeve operative.

Gjatë vitit të parë të tranzicionit, bazuar në plan, është arritur të bëhet tranzicioni i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe krijimi i Gardës Kombëtare si njësi e re, të cilës i është ndërtuar shtabi.

Tani FSK po punon intensivisht në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes për shkak të ndërtimit të kapaciteteve të reja trajnuese, bazuar në mision dhe mandate të ri.

Komandanti i FSK-së, thotë se për arsye të ngritjes së kapaciteteve, në të ardhmen do të ketë nevojë për më shumë buxhet.

Në vitin 2018, FSK u përball edhe me largimin e një numri të konsiderueshëm të pjesëtarëve nga komuniteti serb në Kosovë. Kjo u bë meqë të njëjtit kishin presione nga Beogradi dhe serbët brenda Kosovës, duke i detyruar ata që të hiqnin dorë nga shërbimi i tyre në Forcë.

Por gjeneral Rama thotë se me rekrutimet e fundit që janë bërë gjatë vitit që lamë pas, është rritur numri i minoriteteve dhe ka një numër të konsiderueshëm të serbëve që kanë shpreh gatishmërinë të shërbejnë në FSK.

Në rrugën e tranzicionit FSK, po gjen mbështetje të madhe të partnerët strategjik, të cilët po e përkrahin edhe me donacione të ndryshme.

Gjithashtu, Forca ka kadetë në gjashtë vende partnere të cilët shkollohen në akademitë e tyre.

Për herë të parë, sivjet diplomojnë dy kadetë të FSK-së në West Point, gjithashtu një tjetër po përzgjidhet për të nisur shkollimin atje.

Përmes FSK-së, Kosova për herë të parë do të jetë edhe në Forcat Ajrore, ku do të dërgohet një kadet atje.

FSK mbetët një prej institucioneve më të besueshme në vend, e për vitin që lamë pas edhe të komunitetet pakicë.


MË SHUME NGA Lajme