234 persona u shpallën të zhdukur gjatë një viti
Ndër rastet që bëri bujë më të madhe është ai i një gruaje nga Prishtina.
Remzije Mustafa u gjet e gjallë tetë ditë pasi që kishte dal nga shtëpia.
Por ky rast nuk shënon rastin e vetëm në vitin 2019 që në Policinë e Kosovës u raportuan si të zhdukur.
Në bazë të statistikave të Policisë nga janari e deri në fund të muajit nëntor janë raportuar gjithsej 234 raste të persona të zhdukur.
E lidhur me këtë numër të madh të të zhdukurve njohësi i sigurisë në Kosovë, Avni Islami thotë për KosovaPress se kjo dukuri nuk e ka prekur vetëm Kosovën.
Sipas tij ky fenomen nuk duhet të jetë shqetësues vetëm për organet e sigurisë në Kosovë por edhe për gjithë shoqërinë kosovare.
Shkaktari kryesor i cili shpije drejt këtij fenomeni në shoqërinë tonë sipas Islamit është faktori ekonomik-social.
Islami thotë se rritja e sigurisë përmes shtimit të kamerave nëpër rrugët kryesore e rrit edhe sigurinë në vend, dhe i parandalon këto raste të zhdukjes së njerëzve.
Fenomenin e personave të zhdukur për KosovaPress e ka shpjeguar edhe sociologu, Fadil Maloku sipas të cilit kriza morale dhe ekonomike në të cilën po kalon Kosova po i sjell edhe pasojat si kjo e zhdukjes së personave.
Ai madje thotë për KosovaPress se përgjatë viteve të ardhshme ky fenomen do shënojë rritje në rast se institucionet e sigurisë nuk do krijojnë mekanizma që i kontrollojnë dukuritë e tilla devijante për shoqërinë tonë.
Në bazë të dhënave në Policinë e Kosovës të siguruara nga KosovaPress numri më i madh i rasteve të raportuara si persona të zhdukur është bërë në rajonin e Prishtinës, ku në këtë periudhë të vitit janë raportuar gjithsej 76 raste, e dyta radhitet rajoni i Pejës me 46 raste, e pasuar nga ai i Prizrenit me 34 raste, pastaj rajoni i Gjakovës me 27 raste, ai i Gjilanit me 22 raste, ndërsa në pjesën jugore të Mitrovicës u raportuan vetëm 19 raste si persona të zhdukur.
Sipas Policisë së Kosovës në qytetin e Ferizajt dhe atë të Mitrovicës Veriore ka më së paku raste të shënuara si persona të zhdukur, ku në pjesën veriore të Mitrovicës janë regjistruar 5 raste, kurse në qytetin e Ferizajt vetëm 2 raste.























