PD: Nuk ka paqe me Ramën
BKT
Shqipëri

PD: Nuk ka paqe me Ramën

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Edi Paloka ka deklaruar se e vetmja mënyrë që do të detyrojë kryeministrin Edi Rama për të zgjidhur krizën, janë zgjedhjet e parakohshme.

Ai ka thënë për Top Channel se në janar demokratët do të bëjnë publike  propozimet për reformën zgjedhore dhe presin që hapin e radhës ta hedhë mazhoranca për t’u ulur jashtë parlamentit. 

“E gjithë bota i thotë ta njohë dhe  ta zgjidhë krizën. Rama nuk e  njeh krizën. Edhe BE edhe kushtet që i janë vënë Ramës flasin për krizën. Së pari ta njohë dhe ta zgjidhë, së dyti pa opozitën s’mund ta zgjidhë krizën. Nëse nuk është dakord me propozimet tona të ketë një kundër propozim se duam atë tryezë që pranoni ju dhe të kemi tryezë tjetër por jo atë komision që ai përfaqëson parlamentin vetëm të një pale. Ne jemi të gatshëm. Ne nuk e shuajmë funksionin e komisionit se në fund fare kodi zgjedhor aty do miratohet”, është shprehur Paloka.

Zbutja e retorikës para vendimit të negociatave dhe pas tërmetit të 26 nëntorit u lexua si zbutje qëndrimi në krahun kundërshtar, por nënkryetari demokrat Edi Paloka mohon dhe flet për qëndrim të detyruar.

“Dy armëpushime të detyruara, por jo paqe me Ramën. Kishim krizë politike  dhe jemi para një krize humanitare, janarin s’e shoh ndryshe vetëm si përballje me këtë qeveri”, ka thënë ai.

Ndryshe, në janar  pritet që opozita të mbledhë strukturat  për të vendosur për aksionin e ri politik.


MË SHUME NGA Shqipëri