Haradinaj: AAK nuk është pjesë e diskutimeve për krijim të qeverisë
Kryetari i AAK-së dhe njëherit kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se partinë e tij nuk e ka kontaktuar askush nga VV-ja për të marrë pjesë në negociata për krijimin e qeverisë së re.
Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë deklaroi që Kurti dhe VV-ja do të duhej t’i ftonin për marrëveshje ata që i dëshirojnë.
“Sa i përket LDK dhe LVV-së, të them të drejtën nuk na ka kontaktuar askush. Nuk kemi qenë palë, nuk e di procesin e VV-së dhe LDK-së. E kam thënë s’di sa herë se në sistemin tonë parlamentar partia fituese mbahet përgjegjëse për krijimin e institucioneve”.
“Unë e kam pasur fatin e mirë që të krijojë dy herë qeverinë dhe nuk ka qenë proces i lehtë, ende më kritikoni për numrin e zëvendësministrave”.
“Kurti dhe VV janë përgjegjëse për me i dhënë Kosovës institucionet ose me i tregu Kosovës çka bëjnë. Në rastin konkret ne nuk mundemi të kërkojmë takime ma ata, as me Kurtin dhe as me LDK-në”.
“Praktika është që ai i cili i ka fituar zgjedhjet me të thirrë, nëse e vlerëson po apo jo. AAK nuk është pjesë e asnjë diskutimi çfarëdo qoftë, qoftë ai me VV-në ose LDK-në”, është shprehur Haradinaj.























