Shumë nga projektligjet e diskutuara më parë kthehen në pikën 0
BKT
Lajme

Shumë nga projektligjet e diskutuara më parë kthehen në pikën 0

Bardha Shkreli

Shumë nga projektligjet, të hartuara kryesisht nga qeveria, e që u diskutuan me publikun dhe u plotësuan në komisionet parlamentare, nuk arritën të miratoheshin gjatë legjislaturës së VI të Kuvendit të Kosovës. Të njëjtat do të kthehen në pikën zero, rrjedhimisht, ato nuk do të vlejnë për këtë legjislaturë.

Janë 43 projektligje të cilat kanë kaluar në procedura siç e parasheh Rregullorja e punës së Kuvendit. Disa kanë qenë në fazën e dytë të shqyrtimit e disa ishin në fazën fillestare, por që të njëjtat nuk kanë arritur të miratohen në fund për shkak të shpërndarjes së legjislaturës në fjalë. Të gjitha këto projektligje kthehen në pikën zero, shpjegon Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Agnesa Haxhiu “ Meqë përbërja e kaluar ose legjislatura e kaluar nuk arriti t’i miratojë këto ligje, atëherë të gjitha këto kthehen në pikën zero. Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, të gjitha çështjet të cilat janë proceduar në Kuvend dhe nuk kanë përfunduar deri në fund të mandatit të kësaj legjislature, konsiderohen si të përfunduara dhe nuk vlejnë për legjislaturën e VII”, tha Haxhiu.

 

Do të jetë në dorën e qeverisë së ardhshme nëse ndonjë nga këto projektligje do të përfshihet në agjendën e saj, thotë profesori i së drejtës kushtetuese, Xhavit Shala. Por edhe nëse përfshihen, faza e amendamentimit në Kuvend do të fillojë nga zero-ja.

 “Çdo qeveri kur e merr mandatin, ajo në fund të vitit kalendarik për vitin tjetër e harton një strategji legjislative dhe ja dërgon parlamentit. Prandaj, është në dorën e qeverisë që vjen që projektligjet që janë a dëshiron t’i bëjë pjesë të strategjisë legjislative apo do t’i kthejë në pikën zero. Pra, i takon qeverisë së re”,  tha Shala

 


MË SHUME NGA Lajme