Basha pas takimit me Várhelyi: Gjetëm dakordësi për dy objektiva të madhore

Basha pas takimit me Várhelyi: Gjetëm dakordësi për dy objektiva të madhore

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u takua sot me Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi.

Në një prononcim për mediet, Basha tha se “gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, sipas kushteve të Bundestagut”.

“Së pari, dua të përshëndes dhe të mirëpres ardhjen e një komisioneri si Várhelyi në portofolin shumë të rëndësishëm të Zgjerimit, që ka të bëjë me anëtarësimet e vendeve të reja. Më prezantoi me strategjinë që do të paraqesë ai dhe presidentja e re e Komisionit, Von der Layen, strategji të cilën unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Nga ana jonë prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të paraprira nga një reformë zgjedhore dhe zbatimi i asaj reforme sipas kushteve të Bundestagut dhe hapja e negociatave të anëtarësimit, janë dy objektiva madhore në harmoni dhe në përputhje të plotë me njëra-tjetrën”, tha ai.

Basha shtoi se mirëpriti ndihmën e Bashkimit Europian që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore “jashtë parlamentit ilegjitim të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt rivendosjes së demokracisë reale në Shqipëri, ku qytetarët, dhe jo kriminelët, të zgjedhin pushtetarët që nga parlamenti, qeveria, kryebashkiakët, e kështu me radhë”.

“Pa ndodhur kjo, pa kthyer legjitimitetin e institucioneve kryesore në vend asgjë nuk do të bëjë përpara, nuk do të ketë as zhvillim, as punësim, as ekonomi dhe as ndalje të emigracionit që po shpopullon Shqipërinë me ritme të frikshme”, tha Basha./ATSH/