Konjufca pret ambasadorin italian, trajtohet forcimi i raporteve
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Diplomati italian e uroi Konjufcën me rastin e zgjedhjes kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Konjufca e falënderoi ambasadorin e Italisë për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke shtruar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kryeparlamentari tha se për Kosovën është me interes jetik mbështetja e Romës zyrtare, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në aspektin e brendshëm, siç janë zhvillimi ekonomik, ngritja e mirëqenies së qytetarëve, forcimi i sundimit të rendit e të ligjit, si dhe konsolidimi i mëtejmë i demokracisë.
Ambasadori Orlando, nga ana e tij konfirmoi gjithashtu angazhimin e Italisë për integrimin progresiv evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
Konjufca dhe Orlande ndanë mendim të përbashkët se marrëdhëniet e mira dhe të gjithanshme midis Kosovës dhe Italisë, mund të zgjerohen dhe forcohen më tej në fushat me interes reciprok.























