Kurti: Ende asgjë definitive në ndarjen e ministrive me LDK-në
Me Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk ka asgje definitive sa i përket ndarjes së ministrive, ka thënë Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka marrë pjesë në diskutim në Prishtinë, ku temë kryesore ka qenë Kultura.
Sipas tij, me LDK-në me të cilën po provojnë të bëjnë marrëveshje, kanë diskutuar për modalitetet dhe reduktimin e ministrive.
Ai përmendi që ne negociatat mes VV-së e LDK-së, është folur që Ministria e Kulturës t’i bashkangjitet asaj të Arsimit. "Pavarësisht që me LDK-në kanë ideologji të ndryshme, kur është fjala për Kulturën, këto dallime në këtë pikë, nuk vlejnë", ka thënë Kurti.
Sipas tij, në synimet e tyre në Qeverinë e re, është që institucioni i Artit dhe Kulturës të kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshem.
”Artistët të kenë të garantuar financimin e rregullt. Të themelohet Teatri i Operas dhe Baletit. Është për të ardhur keq që prej vitit 2004 nuk shfaqet asgjë operistike”, është shprehur ai.























