Petroviq në vizitë zyrtare në Berlin
Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, i cili ndodhet në një vizitë në Berlin, u takua me këshilltarin kryesor të politikës së jashtme të Kancelares gjermane Angela Merkel, Matias Lutenberg, thuhet ne komunikatën e kësaj partie.
Siç thuhet në komunikatë, Petroviq gjatë takimit të tij me Lutenbergun, diskutoi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon dhe e informoi atë për problemet aktuale me të cilat përballet komuniteti serb, si dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.
Ndër të tjera, thuhet se kanë diskutuar për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ku kanë shprehur shqetësime për kushtet në të cilat ndodhi procesi zgjedhor, si dhe për përparimin e përpjekjeve që po bëhen për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Gjatë takimit me Lutenbergun, Petroviq shfrytëzoi rastin për ta njoftuar me aktivitetet e Partisë së Pavarur Liberale deri më tani dhe për ta informuar atë për përpjekjet e ardhshme të partisë për të mbajtur zbatimin e mëtutjeshëm të politikës, për të cilën, siç thuhet, ai do të vayhdojë të luftojë megjithë presionet dhe sfidat e shumta me të cilat përballet.
Në fund të takimit, Petroviq e falënderoi Lutenbergun për takimin dhe për përfshirjen e tij personale në zgjidhjen e problemeve në Kosovë.
SLS njofton se kryetari i partisë, Slobodan Petroviq, gjithashtu do të takohet me deputetët e Bundestagut gjatë vizitës së tij në Berlin.























