Kurti - LDK-së: Nuk kthehemi në të kaluarën, por të vazhdojmë bisedimet
BKT
Lajme

Kurti - LDK-së: Nuk kthehemi në të kaluarën, por të vazhdojmë bisedimet

Mandatari për kryeministër të vendit, Albin Kurti, iu është drejtuar qytetarëve me një videomesazh menjëherë pas propozimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje për formim të qeverisë.

Ai tha se propozimin kanë dashur ta dërgojnë pas një marrëveshje me LDK-së, ashtu siç ka qenë ky vullnet të shkohet në seancën konstituive dhe në takimin me presidentin Hashim Thaçi.

“Propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues në zgjedhje e 6 tetorit kemi dashur ta dërgojmë te presidenti pas një marrëveshje me LDK-në. Në mbledhjen konstituive më 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje edhe te presidenti më 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake. Dy javë pas takimi katër minutash nuk kemi marrëveshje. Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë të presidenti. Sekretarja jonë Vlora Haxhimehmedi do ta bëjë këtë”, deklaroi ai.

Kurti tha se nuk e kanë pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së, por theksoi se nuk mund të kthehen në të kaluarën, duke nënkuptuar tek ofertat për kryeparlamentar.

“Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejmë tjera me synim gjetjen e alternativave të tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët. E theksoj përsëri: Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit ndonëse ndryshe nga dakordimi nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm”, vijoi ai.

Kreu i VV-së shtoi se qëndrimi i LDK-së se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ose siç e quan ai qasja “merre ose lëre” për të do të thotë lëre.

Ai shprehu besimin se mund t’i kthehen tryezës së bisedimeve duke shtuar se është detyrim ndaj qytetarëve.

“Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë. Ne , si Lëvizje Vetëvendosje, kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi e që vendit i duhet me aq urgjencë. E kemi filluar duke çliruar nga kapja udhëheqjen e Kuvendit, nuk është më aty pronto kryeparlamentari, që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri Glauk Konjufca . Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave”, përfundoi Kurti.

 

 
 

 


MË SHUME NGA Lajme