Osmani thotë se ka vullnet për marrëveshje me VV-në
Nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani ka thënë se ka vullnet për marrëveshje me VV-në dhe tani pas nominimit të Kurti këto dy javë duhet të shfrytëzohen për marrëveshje e jo për t`ia lënë fajin njëra – tjetrës.
“Qëndrimi i LDK-së është thënë qartë gjatë ditëve që shkuan, është konfirmuar edhe nga ne që jemi pjesë e organeve të LDK-së dhe nga vet kryetari që LDK-ja ka vullnet që të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen, tanimë që zyrtarisht e kemi mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe koha është e përcaktuar me Kushtetutë të vendit.
“Ajo për të cilën bëj thirrje unë, është që dy javët e ardhshme të shfrytëzohen maksimalisht për arritjen e marrëveshjes e jo për fajësime ndaj njëra -tjetrës, besoj e kemi shumë të qartë se cili ka qenë vullneti i qytetarëve i 6 tetorit dhe të gjitha mospajtimet që na kanë ndarë duhet të lihen anash dhe ditët në vijim duhet të shfrytëzohen maksimalisht dhe me respekt të ndërsjellë për të arritur një marrëveshje me të cilën të dyja partitë ndihen se janë të përfaqësuara. Në përputhje me votat e qytetarëve që i kemi marrë më 6 tetor”.
“Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse ka vullnet të qartë nga të dyja palët dhe vetëm nëse ka gatishmëri për të arritur tek një mes në një kompromis të cilin të dyja partitë ndihen që vullnetshëm po hyjnë në koalicion. Duhet të investohet që të rikthehet besimi, të ulemi në tavolinë me respekt të ndërsjellë dhe duke pasur parasysh fuqinë politike që e përfaqëson njëra dhe tjetra, duke pasur parasysh votat që i kemi marrë më 6 tetor” .
Osmani ka thënë se duke qenë në lëkurën e qytetarëve atëherë ka mundësi të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, njofton Klan Kosova.
“Unë besoj që ky vullnet ekziston dhe tani ka ardhur koha që ky vullnet të materializohet dhe nuk ka pse të shtyhet. Ne kemi hyrë për ta çuar PAN-in në opozitë dhe duhet ta lëmë në opozitë aty ku është “.
Sipas saj, veprimet e Kurtit me postimin e video-mesazheve nuk janë qasje e mirë për arritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje.
“Unë nuk besoj që kjo qasje i ndihmon arritjes së marrëveshjes, palët duhet të ulen me synimin për të gjetur një mes, një kompromis në atë se dy palët e kuptojnë se janë duke ndërtuar të ardhmen e Kosovës” .
Osmani ka thënë se së shpejti do t`i mbledhin organet dhe se nuk e di se cili do të ishte vendimi final se a do ta votojnë një qeveri të pakicës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nënkryetarja e LDK-së ka deklaruar gjithashtu se nuk është e vërtetë që në takime mes përfaqësueve të të dyja subjekteve politike është diskutuar për ndarje të bordeve, njofton Klan Kosova.























