Ndërtimet në Badoc, VV akuzon Komunën e Prishtinës dhe MMPH-në
BKT
Lajme

Ndërtimet në Badoc, VV akuzon Komunën e Prishtinës dhe MMPH-në

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me dhënien e pëlqimit dhe lëshimit të kushteve të ndërtimit në zonën e liqenit të Badocit, kanë shkelur ligjin.

 Sipas Vetëvendosjes me këtë veprim këto dy institucione kanë rrezikuar ujërat e Kosovës, për çka kanë ftuar Prokurorinë e Shtetit që të veprojë.

Kjo parti u ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të tërheqin vendimet e tyre, ndërsa është thënë se Komuna e Prishtinës duhet të parashtrojë padi ndaj Ministrisë së Mjedisit që ka obliguar Komunën e Prishtinës që të lëshojë kushtet e ndërtimit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, tha se me lëshimin e kushteve të ndërtimit Komuna e Prishtinës i ka dhënë mundësi kompanisë t’i plotësojë kushtet. Sipas saj, në momentin kur kompania plotëson kushtet ndërtimore, atëherë Komuna nuk do të ketë mundësi t’ia refuzojë lejen e ndërtimit.

Ajo tha se Komuna e Prishtinës nuk është dashur të marrë vendim që të caktojë kushtet e ndërtimit.

Pacolli tha se vendi është duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm, e që sipas saj është për t’u brengosur se si në këtë moment krize MMPH po hesht, ndërsa Komuna e Prishtinës lëshon kushte ndërtimore.

Deputetja Pacolli deklaroi se Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës duhet të japin përgjegjësi për vendimet e tyre, ku ka potencuar se të dy këto institucione kanë shkelur ligjin dhe kanë cenuar ujërat e Kosovës.

Ajo tha se kjo është vepër penale dhe sipas saj Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë menjëherë.

Edhe asamblisti i LVV në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, tha se mbështetin të gjitha iniciativat qytetare që luftojnë për ndalimin e projektit në Badoc.

Pas bërjes publike të një projekti që është paraparë të ndërtohet në afërsi të liqenit të Badocit një grup i qytetarëve ka reaguar për të kundërshtuar ndërtimin. Grupi për Mbrojtjen e Liqenit të Badovcit u ka drejtuar pesë kërkesa për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Komunës së Prishtinës.

Kërkesa e parë është që të anulohet vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me numër protokolli A-76/2019 i datës 27.06.2019, me të cilin shfuqizohet vendimi i Komunës me të cilin palës i refuzohet kërkesa për dhënien e kushteve ndërtimore për lagjen në Badoc.

Kërkesa e dytë është që të anulohet vendimi i Komunës së Prishtinës i datës 26.12.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e lagjes në Badoc.

Kërkesa e tretë ka të bëjë me harmonizimin e akteve nënligjore që rregullojnë mbrojtjen e zonave ujore: vendimi i Qeverisë se Kosovës 16/127 për Badocin, udhëzimin administrativ për normat teknike të planifikimit hapësinor dhe udhëzim administrativ MMPH – Nr.28/2014 për zonat e mbrojtura sanitare, me Ligjin Nr. 04/l-147 për ujërat e Kosovës.

Kërkesa e katërt ka të bëjë me nisjen e procedurave që zonën për rreth liqenit të Badocit të shpallet peizazh të mbrojtur duke e bashkuar me Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe në vendim të shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zonë.

Kërkesa e pesë ka të bëjë me ndalimin e planifikimit të lagjeve dhe objekteve turistike në zonat përreth liqeneve akumuluese dhe të merren masa të menjëhershme, për largimin e objekteve ilegale dhe legale që janë ndërtuar brenda zonës së dytë mbrojtëse (210 metra) të liqeneve akumuluese.


MË SHUME NGA Lajme