Kosova ende s`e ka caktuar ekipin për takimin e radhës për hekurudhat
Sharr Travel

Kosova ende s`e ka caktuar ekipin për takimin e radhës për hekurudhat

Kosova s’ka ende ekip për ta dërguar të hënën në Berlin, ku do të ketë një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë për t`u diskutuar marrëveshja e arritur në parim për hapjen e linjës hekurudhore.

Këtë e ka bërë të ditur për Express, Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj thotë se janë të gatshëm që t’i përgjigjen një ftesë për të arritur marrëveshje për hekurudha.

“Ne si ministri e Infrastrukturës dhe Transportit jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi një ftese të mundshme për të diskutuar me Serbinë lidhur me marrëveshjen për hekurudha, gjithmonë duke marrë parasysh Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

Ne jemi pjesë e Komunitetit të Transportit Hekurudhor ku bëjnë pjesë 6 vendet e Ballkanit dhe rrjedhimisht kemi marrë përgjegjësitë aq sa na takojnë sikur secili shtet tjetër”, ka deklaruar ai.

Ministri në detyrë tutje thotë se në rast se arrihet kjo marrëveshje atëherë bëhet fjalë për lidhje pa pengesa me Serbinë në pikat kufitare Leshak dhe Merdare.

“Jemi të hapur dhe të gatshëm për ta ofruar ekspertizën tonë të ministrisë gjithmonë në frymën e ruajtjes së elementeve të shtetësisë të Republikës së Kosovës. Edhe në kuptimin e investimeve në hekurudha po bëhemi gati që të kemi lidhje pa pengesa me secilin shtet fqinj, duke përfshirë në këtë rast edhe Serbinë, në pikën kufitare Leshak dhe Merdare”, ka bërë të ditur Lekaj.

I dërguari special i presidentit amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell pas marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror Prishtinë – Beograd, ka lajmëruar se të hënën do të ketë edhe një takim tjetër në mes të dy vendeve ku do të diskutohet marrëveshja e arritur në parim për hapjen e linjës hekurudhore.


MË SHUME NGA Aktuale