Thaçi: Kosova e gatshme që menjëherë ta ndihmojë Turqinë

Thaçi: Kosova e gatshme që menjëherë ta ndihmojë Turqinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur gatishmërinë që Kosova të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative për të ndihmuar Turqinë, e cila sot u godit nga një tërmet shkatërrues.

“Zemrat tona u drejtohen familjeve të viktimave dhe atyre të plagosur nga tërmeti që goditi #Elazig. #Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative, pasi ne qëndrojmë pranë njerëzve dhe Qeverisë së Turqisë në këto momente tragjike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Së paku katër persona kanë humbur jetën nga tërmeti që në mbrëmjen e sotme e goditi Turqinë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleiman Sojlu tha se dy persona u vranë në provincën lindore të Elazig dhe dy të tjerë në provincën fqinje të Malatya.

Fuqia e tërmetit ishte 6.8 shkallë të Rihterit. Tërmeti është regjistruar në pjesën lindore të Turqisë, Elazıg.

Tërmeti goditi qarkun Sivrice të Elazıg në orën 18:55, sipas kohës lokale, me një thellësi prej 10 kilometrash.

Prej ditësh Turqia është goditur nga një valë lëkundjesh të mëdha të tokës.

Nga pamjet e para, shihet se nga tërmeti ka pallate të rrënuara, ndërsa nuk dihet saktë se sa mund të jetë bilanci i viktimave.


MË SHUME NGA Aktuale