Asnjë rast me koronavirus në Shqipëri
Në Shqipëri nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus por në kuadër të masave parandaluese një grua e kthyer 10 ditë më parë nga Kina i është nënshtruar analizave nga Instituti i Shëndetit Publik pasi dyshohej si mbartëse e virusit.
Pas kontrollit të detajuar mjekësor, analizat rezultuan negative por për arsye sigurie ajo vijon të mbahet në Spitalin Infektiv të QSUT.
Të mërkurën Ministrja e Shëndetësis, Ogerta Manastirliu, inspektoi masat e marra në Aeroportin e Rinasit teksa tha se ato bazohen në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit.
"Kërkohen masa të shtuara higjeno-sanitare në pikat e kontakteve, në zonat e përbashkëta. Është e rëndësishme për të konfirmuar një fakt që deri më sot ne nuk kemi pasur asnjë rast i cili mund të ketë koronavirus", tha Manastirliu, transmeton oranews.
Personat që mbërrijnë në Shqipëri nga vendet ku koronavirusi ka njohur përhapje intervistohen dhe rastet e dyshuara iu nënshtrohen kontrolleve shëndetësore.
"Në rast se ata i kanë kaluar dedektimit nga strukturat shëndetësore në Stamboll, Romë, qoftë edhe këtu, qytetarët duhet të bëhen të ndërgjegjshëm që të informojnë vetë", tha ai.
Këta persona mbahen në vëzhgim për të paktën dy javë nga strukturat e Instituti të Shëndetit Publik.
Gjatë 24 orëve të fundit në Aeroportin e Rinasit janë kontrolluar 17 pasagjerë shqiptarë dhe të huaj që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës dhe gjendja e tyre shëndetësore ka rezultuar e mirë.























