Minamino: Nuk do ta harroj kurrë këshillën e parë të Klopp
Takumi Minamino ka mbetur i befasuar nga Jurgen Klopp, i cili i tha atij se dëshiron që të luajë ashtu siç dëshiron, kur u bashkua me Liverpool në janar.
25-vjeçari u transferua në “Anfield” nga Red Bull Salzburg për 7.25 milionë paund.
“Nuk mund t'i harroj fjalët e tij, dy, ose tri ditë pasi mbërrita në klub. Trajneri më tha: Vetëm kënaqu, në çfarëdo mënyre që dëshironi të luani. Kështu që isha vërtet i lumtur si lojtar i Liverpool. Në dhomën e zhveshjes ai është shumë i mirë për t’i motivuar lojtarët. Do të doja të kontribuoja për skuadrën, që të fitojmë titullin në Premier League. Sidoqoftë, objektivi më i afërt i imi është të luaj sa më shumë ndeshje, të shënoj edhe ndonjë gol", u shpreh fillimisht japonezi.
Ai tutje vazhdoi duke u shprehur se është shumë i lumtur që është transferuar tek skuadra e Jurgen Klopp.
"Jam me të vërtetë i lumtur që ndodhem në këtë klub. Gjeta një shtëpi të re për të jetuar, kështu që jam mjaft i qetë në Liverpool. Çdo lojtar është shumë mikpritës këtu, veçanërisht Naby Keita dhe Sadio Mane, pasi jetojnë pranë meje. Edhe lojtarët që mund të flasin gjermanisht janë shumë të dobishëm për mua”, përfundoi ai.























