OBSH e konsideron Shqipërinë me rrezikshmëri shumë të ulët nga prekja
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e konsideron Shqipërinë një vend me rrezikshmëri shumë të ulët nga prekja e koronavirusit.
Kështu u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e ftuar në një nga mediet në vend. Ajo theksoi se Shqipëria është vend me rrezikshmëri shumë të ulët, edhe për faktin se nuk kemi fluturime direkte me Kinën.
“Të shqetësuar kemi qenë që në ditën e parë kur u tha që është një virus që po shpërndahet në masa të mëdha në një vend shumë të madh dhe të populluar siç është Kina por ne vazhdojmë të mbetemi edhe sot me të gjithë shpërndarjen që ka, të mbetemi një vend që konsiderohet me rrezikshmëri shumë të ulët. Konsiderohemi me rrezikshmëri shumë të ulët për faktin që nuk kemi fluturime direkte me Kinën, që është mundësia më e madhe për të ardhur virusi në Shqipëri. Të gjithë njerëzit që vijnë, së pari ndalen në aeroporte të tjera ndërkohë që, edhe nëpër vende që kanë pasur fluturime direkte, edhe nëpër vende të tjera sepse besoj ju ju referuat rastit të Italisë, kanë qenë vetëm dy dhe kanë qenë dy turistë kinezë. Prandaj, nuk mendoj që për momentin që po flasim rreziku të jetë i shtuar në krahasim me atë që ka qenë përpara dy javësh, flas për Shqipërinë. Pavarësisht kësaj, jo vetëm ne por Organizata Botërore e Shëndetësisë, e konsideron Shqipërinë një vend me rrezikshmëri shumë të ulët, ne si Ministri Shëndetësie kemi marrë masat që të mundohemi të minimizojmë efektet e këtij virusi”, – u shpreh Rakacolli.
Më tej, zv/ministrja informoi se shenjat e gripit dhe koronavirusit janë të njëjta. Sipas saj, vetëm analizat mund ta nxjerrin faktin nëse je apo jo i prekur me koronavirus.
Po ashtu, Rakacolli lidhur me koronavirusin se ky i fundit ka të njëjtat simptoma si gripi. “Si të gjitha infeksionet e tjera virale, njësoj si gripi. Ne në Shqipëri më shumë jemi të shqetësuar për gripin”. /ATSh























